Duket që gjykatat e rretheve po shkojnë drejt boshatisjes për shkak të ndëshkimit që u vjen gjyqtarëve nga KPK-ja. Në vazhdën e procesit të vetingut përballja me Komisionin e Rivlerësimit të kritereve bazë që janë vendosur për të verifikuar elementët e domosdoshëm të përcaktuar nga ky komision, ka çuar ditën e premte në shkarkimin e dy gjyqtarëve të rretheve, njërin në Pukë e tjetri nga Gjykata e Durrësit.
Ndonëse KPK-ja ende nuk i ka zbardhur vendimet për këto dy subjekte rivlerësimi, bëhet me dije se gjyqtarja e shkarkuar nga Gjykata e Pukës është motra e komisarit të vrarë në krye të detyrës vetëm pak muaj më parë, të ndjerit, Saimir Hoxha.
Edhe pse ajo ka kundërshtuar mekanizmin e ndjekur nga trupa verifikuese, nuk ka mundur t’i shpëtojë ndëshkimit në lidhje me pasurinë e familjes së saj, pasuri që në fakt nuk është vërtetuar nga asnjë komision që i vjen nga korrupsioni përgjatë ushtrimit të detyrave të saj, si në Gjykatën e Pukës ashtu edhe në ish-KLD.
Po ashtu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar edhe gjyqtarin e Durrësit, Shpëtim Reka, i cili ka ngecur në justifikimin e pasurisë si dhe në mosdeklarimin e një rasti që është shoqëruar sipas KPK-së me person me precedentë kriminal.