Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 4 shtator vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Vendimi u mor nga trupa e KPK kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.
Gjatë seancës dëgjimore të martën, Sterkaj u pyet dhe dha shpjegime për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe bilancin negativ në vlerën 28.3 milion lekë, si dhe për një sërë gjetjesh në aspektin profesional.
Tonin Sterkaj e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në prill të këtij viti, iu vendos tritol në banesën e tij në Shkodër.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 3.9.2024, për subjektin e rivlerësimit, z. Tonin Stërkaj, bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Tonin Stërkaj, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Alma Faskaj, znj. Pamela Qirko relatore, znj. Xhensila Pine anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ky vendim u shpall sot, në datën 4.9.2024.”, përfundon njoftimi për mediat i KPK- së.