Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja zgjidhet President i Këshillave Ndërfetare të Europës, pjesë e organizatës “Fetë për Paqe” (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).
Gjatë muajit shkurt 2024 Bordi i Presidencës i Organeve Kombëtare Ndërfetare Evropiane në organizatën “Fetë për Paqen” në Evropë shpalli zgjedhjet për President të ri të Këshillave Ndërfetare të Europës.
Pas thirrjes për nominim të kandidatëve, Bordi Drejtues emëroi unanimisht Prof. Genti Kruja, si Presidentin e ri të Këshillave Ndërfetarë të Europës, i cili prej dy vitesh mbante dhe detyrën e Zëvendës Presidentit të këtyre organeve. Ai është zgjedhur kështu me një mandat tre vjeçar në krye të organeve kombëtare ndërfetare evropiane.
Bordi Drejtues ka shprehur vlerësimin për prof. Krujën dhe punën e tij ndër vite për promovimin e dialogut ndërfetar në Evropë, si dhe mbeten në pritje të rritjes së frymës së bashkëpunimit ndërfetarë gjatë këtij mandati.
Prof. Genti Kruja pason ish-Presidentin Dr. Luigi de Salvia, i cili vazhdon të jetë anëtar i Bordit Drejtues të Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe President i “Religions for Peace” Itali.
Kush është Genti Kruja?
Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, i lindur në Shkodër në vitin 1977, me profesion sociolog është pedagog i Sociologjisë, Sociologjisë së Fesë, Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar në Kolegjin Universitar Bedër. Ai është anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Prof. Kruja ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në shumë konferenca ndërkombëtare mbi Arsimin, Lirinë e Besimit dhe Dialogun Ndërfetar. Ai është autor i librave “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar” (2008) dhe “Historia e Dialogut Ndërfetar” (2023), botuar nga Instituti i Dialogut “PRIZMI”, si dhe autor i disa studimeve dhe artikujve të ndryshëm shkencorë në lidhje me “dialogun ndërfetar”.
Në vitin 2021, ai u zgjodh anëtar i programit të Bashkimit Evropian “Global Exchange on Religion in Society”. Më 2022 mori pjesë në programin e shkëmbimit, mbështetur nga Departamenti i Shtetit në Universitetin Seattle, Uashington, SHBA. Po në këtë vit, ai u zgjodh ekspert i Lirisë së Besimit në OSBE, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Gjatë vitit 2023 ai ishte pjesë e Programit Ndërkombëtar të KAICIID, si dhe prej vitit 2022 mbante detyrën e zv/Presidentit të Organizmave Kombëtare Ndërfetare Evropiane-Fetë për Paqe, Evropë.
Më 15 shkurt 2024 ai u zgjodh President i Organeve Kombëtare Ndërfetare Evropiane (ENIB) në organizatën “Fetë për Paqe”, Evropë (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).