Më pëlqen me kujtue figurën e shkëlqyeshme të Hamid Gjylbegut (1888-1979), kujtimet e të cilit i kam pasë botue kur drejtoja “Hyllin e Dritës”, e due me falenderue, si atëherë edhe me ketë rast, zz. Luan Gjylbegaj e Shefqet Deliallisi.
Hamid Gjylbegu, pinjoll i shquem i nji familjes fisnike shkodrane, ushtarak nacionalist, shkrimtar poliglot dhe njeri i dhanun mbas misticizmës, asht unik si fenomen. Do të ishte dashtë me iu botue krejt vepra, me u studjue dhe me u analizue në bashkëpërkimet me autorë tjerë që e kanë frymzue.
Jeta e Hamid Gjylbegut asht tragjike deri në fund, ai ka qenë së bashku me Baba Rexhepin e Teqes së Detroitit e disa të paktë, ndër ma të randësishmit lavrues të nji mistike origjinale islame. Por ndërsa vepra e Baba Rexhepit asht studjue prej Xh. Kallajxhiut e Francis Trix, Gjylbegu sot ka ra në harresë.
Në fillim të viteve ’30 Etnit Jezuit në Shkodër i kushtuen shumë vemendje teorive mistike të Hamid Gjylbegut, madje për to u interesue veçmas, përposë Át Fulvio Cordignano-s edhe nji njohtës i thellë i mistikës islame si Át Giovanni Fausti, tue nxjerrë në dritë idealet e panteizmit kozmik dhe klimën dialoguese ndërfetare që del në pah tek vepra e autorit në fjalë.
Me humbjen tragjike të djalit, Virtytit, në burgun komunist, ai e shfaqi haptas deri në fund disidencën e tij antikomuniste tue mos pranue as lidhjen e energjisë elektrike me shtëpinë e tij, as pensionin dhe asnji lloj asistence që normalisht Shteti i jep njerzve. Janë të rrallë shembuj të tillë në të gjithë Lindjen komuniste.
Prej qytetit të tij të lindjes meritojnë me u kujtue ai edhe i biri, Virtyt emni e virtyt jeta e tij, e kishte me qenë pak e gja që nji shkollë, publike apo private, nji katedër filozofije, të mbante në Shkodër emnin e Hamid Gjylbegut, pse teoritë e tija në ndërthurjen e tyne eklektike mbeten shumë interesante edhe sot e kësaj dite.
Edhe njiherë kreninë e të qenunit shkodranë na duhet me shkue me e kërkue tek nji figurë që ka lindë në vitin 1888. /Nga Ardian NDRECA/