Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e ka dënuar me burgim të përjetshëm, por ai pretendon se është i pafajshëm. Bëhet fjalë për Sadedin Sula, i cili çshtë shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij Suela Sula. Por bashkëshorti këmbëngul se është i pafajshëm, dhe se dënimi i dhënë ndaj tij është i pabazuar në prova.
Nisur nga sa më sipër, përmes mbrojtësve të tij ligjorë, Sula ka ankimuar vendimin në Apelin e Krimeve të Rënda. Para kësaj gjykate, Sadedin Sula përpiqet të argumentojë se me bashkëshorten e ndjerë jetonin të lumtur. Nga ana tjetër, ai thotë se në shkallën e parë ka shkelje proceduriale dhe beson se mund ta rrëzojë vendimin e dhënë me burgim të përjetshëm.
Sipas avokatëve, prokuroria në nisje të procesit në shkallën e parë e akuzoi sadedin Sulën si ekzekutor të bashkëshortes. Në vijim organi i akuzës ndryshoi qënrimin duke e akuzuar nga ekzekutor në nxitë të krimit të rëndë.
Nga ana tjetër, aktualisht si vrasës i Sule Sulës po hetohet Fatjon Kurmneshta, ish- punëtor në bisnesin e Sadedin Sulës. Faza e hetimeve për të dy këta persona u bë e ndarë, situatë kjo që mbase mund të krijojë vështirësi për akuzën në shkallën e dytë. Ndërsa për vepren penale të vrasjes së Suela Sulës pritet të gjykohet Kurmneshta, në vendimin e dhënë nga gjykata për Sadedin Sulën, bashkëshorti i viktimës konsiderohet vrasësi. Në fakt, nuk ka një vendim fajësie për këtë gjë.
Pikërisht këtu qëndron edhe shkelja proceduriale, pas të cilës mbrojtja e Sadedin Sulës do të kapet fort. Veç kësaj, në mbrojtjen e paraqitur në Apelin e Krimeve të Rënda nënvizohet se Sula është dënuar pa prova, por me indicie. Gjykata, sipas avokatëve, ka përdorur standart dyfish duke marrë në konsideratë një audio regjistrim të viktimës dhe duke mos pranuar atë të të akuzuarit, i cili ka sjellë filmime dhe foto për të vertetuar se çifti Sula kishte një histori bashkëshortore të lumtur.
Ndërkohë, duke gjykuar nga vendimi i zbardhur i shkallës së parë, fajësia për Sadedin Sulën bazohet mbi konfliktet e çiftit disa muaj para vrasjes së gruas.