Kreu i SPAK, Altin Dumani bëri një deklaratë të fortë këtë të premte, ku tha se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori.
Dumani e dha këtë deklaratë gjatë takimit të parë të një nisme dialogu mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”, e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Shqetësimi më i madh është kërcënimi nga krimi i organizuar dhe jo kërcënimi nga politika, sips Dumanit, i cili theksoi se detyra e Prokurorisë së Posaçme është të hetojë dhe se anëtarët e SPAk janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, tha Dumani.