Shkodra por jo vetëm, janë tronditur nga ngjarja e rëndë e mesnatës së kaluar në Velipojë, ku pas një konflikti, humbën jetën 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë. Janë të shumta komentet në rrjetet sociale për ngjarjen, ku shprehet indinjata për mosfunksionimin e shtetit por edhe dhimbja për humbjen e jetëve njerëzore.
Mesa duket, kryeministri i vendit Edi Rama, ka tjetër mendim. Sikur të mos ketë ndodhur ajo tragjedi që ndodhi apo sikur të mos jetë në dijeni të ngjarjes, ai ka publikuar para pak minutave një foto pikërisht nga Velipoja. Ka vetëm katër fjalë, rastësisht, aq sa ndërruan jetë mesnatën e kaluar pikërisht në Velipojë: “MIRËMËNGJES 😊 nga Velipoja e dashur😍”.
Jo vetëm kaq, ai e shoqëron postimin edhe me dy emoji, tek njëra shihet buzëqja, tek tjetra, dashuria. Në të gjitha gjuhët e botës, ky konsiderohet “humor i zi”. Në fakt, do të duhej një reagim i fortë, pse jo edhe me shkarkime të menjëhershme, pas ngjarjes së rëndë. Por për shefin e qeverisë, duket se nuk ka ndodhur asgjë. Sigurisht, çdo popull meriton qeverisjen që ka.
Por pas pak minutave, duket se ka reflektuar dhe e ka fshirë postimin. Atëherë, i bie se postimet në faqen e tij janë të automatizuara, pra caktohet ora se kur duhet të publikohen. Ose, ata që i administrojnë faqen (sepse është e kuptueshme, nuk e menaxhon personalisht), nuk ia kanë idenë se çfarë ndodh në këtë vend. Sepse jetojnë në një realitet tjetër…. /ShkodraWeb/