Shefi i qeverisë Edi Rama, nuk ka ngurruar sot që publikisht, të kërcënojë me kallëzime penale e madje burg kryebashkiakët e vendit. Nga 30 qershori 2019, ata janë të gjithë të një ngjyre, me përjashtim të Bashkisë së Shkodrës. Edhe në hapje të takimit të zhvilluar në Kryeministri, rama u është drejtuar të gjithëve bashkë “të dashur kryebashkiakë socialistë”. Në takim ka munguar kryebashkiakja e Shkodrës, ai i Vlorës tashmë në mosmarrëveshje të hapur me kryeministrin por edhe kryebashkiaku i Tiranës, i zëvendësuar nga Mazniku i tij.
Takimi, siç e tha vetë Rama, i planifikuar në fund të korrikut, u afrua për shkak të arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjes dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ka kërkuar llogari dhe u ka dhënë udhëzime kryebashkiakëve për çeshtjen e prokurimeve publike dhe atë të pronësisë së tokës bujqësore. Në një vend normal, nëse një takim i tillë do të zhvillohej, duhej të organizohej në një mjedis “asnjanës”, jo me gjuhën e tonin e përdorur nga kryeministri i vendit. Madje, gjatë transmetimit “live”, vetëm ai foli ndërsa nuk i dha fjalën asnjë kryebashkiaku.
Me Kushtetutë, ligje por edhe konventa ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, qeverisja vendore është e pavarur, autonome nga të gjitha pushtetet e tjera. Nga sot, shefi i qeverisë dhe i mazhorancës parlamentare, njehsoi pushtetin ekzekutiv me atë vendor. Për ta thënë më qartë, nga sot edhe “de jure”, bashkitë e vendit kanë një kryebashkiak të përgjithshëm që është Edi Rama. Ata që me 30 qershor “u zgjodhën” nga qytetarët vetëm për t’iu bindur Kushtetutës, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Nuk ka asnjë nevojë që një kryeministër të thërrasë e të qortojë ata që janë zgjedhur direkt nga qytetarët.
Është një precedent i rrezikshëm, i cili synon autokraci të plotë duke nisur nga qeveria qendrore, qeverisja vendore, parlamenti dhe indirekt, edhe pushteti gjyqësor. Për “të katërtin”, median, është e kotë të diskutohet. Nëse kryebashkiakët nuk zbatojnë ligjet, nuk kanë nevojë të paralajmërohen nga kryeministri për pasojat. Përveç se, nëse Rama ka hallin e vet, të paktën në imazhin që përcjell në publik dhe tek ndërkombëtarët, të cilin kërkon ta shpëtojë pasi “plasi” me kryebashkiakun e Lushnjes.
Organizatat ndërkombëtare, fondacionet, shoqatat e huaja e vendase, duhet të reagojnë fuqishëm pas kësaj mbledhje. Pavarësisht se kryebashkiakët janë të gjithë socialistë, teorikisht janë sherbetorë të të gjithëve, edhe të atyre që bojkotuan apo votuan kundër me 30 qershor 2019. Nëse kryeministri ka një koncept ndryshe, atëherë të gjithë ne po bëhemi dëshmitarë të heshtur të etapës së fundit të instalimit të autokracisë në këtë vend. /Shënim i ShkodraWeb/