Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka denoncuar se një grup kriminal në Elbasan është përfshirë në mbledhjen e firmave për mbajtjen e Kuvendit të PD, të thirrur nga Sali Berisha.
Në një intervistë në Real Story në News24, Bardhi dha detaje, duke deklaruar se një kryetar i grup seksionit të PD në Elbasan është marrë pa vullnetin e tij në rezidencën e Suel Çelës dhe është detyruar të firmosë formularin.
Sipas Bardhit, ky është një denoncim dhe një akuzë që ai mban përgjegjësi të plotë.
“Një grup kriminal, më i rrezikshme në Elbasan është angazhuar në mbledhjen e firmave. Ka pasur zyrtare të PD dega Elbasan që janë thirrur në rezidencën e Suel Çelës dhe i është vënë përpara formulari për të nënshkruar për thirrjen e Kuvendit.
Kjo është një akuzë që unë mbaj përgjegjësi. Unë e kam thënë, nuk kam dalë në atë konferencë për të bërë atë akuzë, kam dalë për të sqaruar gjithë procesin. 10 minuta para se të dilja në konferencë kam takuar një prej kryetarëve të grup seksioneve të Elbasanit, i cili më ka rrëfyer eksperiencën e tij personale mbi thirrjen në mes të natës nga ky bandit, mbajtjen disa orë në rezidencën e tij dhe detyrimin për të nënshkruar formularin. Kundër vullnetit të tij. Ne e kemi patur përballë këtë individ. Kur unë kam shkuar si drejtues politike në Elbasan, sa herë i përmendja me emra këta persona në strukturat e partisë, shikoja një tulatja të secilit prej zyrtarëve. Bëhet fjalë për një grup kriminal që sot në Elbasan komandon policinë, prokurorinë, gjykatën, komandon gjithçka në atë qytet. Pavarësisht se çfarë bën nuk përballet asnjëherë me ligjin.
Unë kam bërë disa padi gjatë fushatës. Në rastin konkret ka patur një qëndrim dhe analizë nga ana jonë që nëse në çështje të brendshme të PD të futet prokuroria apo jo dhe unë gjykoj se nuk duhet të futet prokuroria. Unë kam vendosur me gjithë rrezikun që mund të kem të bëhem zëri i këtyre demokratëve të Elbasanit.
Dëshmitë janë marrë nga të paktën 7-8 individë, zyrtarë të PD në Elbasan. Një pjesë prej tyre kanë firmosur, një pjesë jo.
Zoti Noka në mbledhje më ka thënë që unë nuk mbaj përgjegjësi se çfarë bën Suel Çela në Elbasan. Unë besoj se qëndrimet e fundit të Berishës tregojnë një mungesë përgjegjësie. Kam pritur që Berisha të distancohej”, tha ndër të tjera Gazment Bardhi