Nga Ervin GJINI*
Mbrëmë, pamë prap formulën “perëndimore” të fitores së karriges. Duhet ta them që në krye të radhës, se Kryetari nuk më zhgënjeu, seriozisht. Kuptova që kryetari nuk njeh zgjedhjet dhe këtë e mbron me forcë në mesin tonë si teori, pavarësisht se “de facto” janë pranuar dhe mbetet që në sesionin e parë të parlamentit të ri, të pranohen edhe “de jure”, në momentin e betimit si deputet.
Pashë që fajin e humbjes e kishte çdo kush por fajtori ishte akoma në drejtim të paditur. Pashë që të përzgjedhurit ishin fiks në lartësinë e duhur për të qënë në unison, me violinën e parë, biles e mbanin ritmin sikur ta kishin stiluar bashkë me sekretarin, platformën e rizgjedhjes së kryetarit.
S’kuptova nëse përfaqësuesit e qarqeve (Shkodrës në veçanti) , ishin të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve apo me analizën e pa analizuar, të mbyllur me aq, në atë mbledhje, ku ovacionet alla- PPSh, të zhurmuesve, nuk lejonin as artikulimin më të vogël të një mendimi ndryshe.
Kuptova se sa poshtë ka rënë Këshilli Kombëtar kur ndahet në dy kampe, ish- mbrojtësit e bashizmit (Kadilli & co.), tani kthyer në paladinë të së drejtës (dhe kjo më besdis më shumë se ata kanë marrë një kauzë të drejtë por që e ndotin me emrat e personin e tyre) dhe ca mbrojtës fanatikë të berishizmit, kthyer në 180° bashistë, kampionë sharës ndaj atyre që mendojnë ndrysh. Goxha kthim pas në mentalitet. Fiks evokim i të shkuarës së frikshme në shtëpinë e lirisë.
Kuptova se frika e humbjes tani është ngulitur në gen dhe se kërkohet çdo artificë thjesht të merret një “fitore Pirroje”. E ku, me të tutë!
Sens, meqë s’ka dorëheqje, do të kishte minimalisht respektim i afateve statuore, 20 korriku (kujtoj 2017 kur valëvitej po për afatet e zgjedhjeve dhe po për kryetar, statuti, si librat e Maos), e burrëri shkuarja në shtator për t’i lënë kohë kandidatëve të mundshëm, kohë e hapësirë përballjeje.
Kuptova që Partia ime, ma “dha” mundësinë edhe mua të kandidoj për kryetar të saj. Kaq demokratike është! Megjithëse nuk kuptoj si do të shpalos programin tim, në më tepër se 60 degë, për 16 ditë dhe cilët nga ata komisionerët e miratuar unanimisht, do të përzgjedh si timin (nëse ai pranon, gjithmonë).
Por ka mundësi që të mos plotësoj kriteret ngaqë, pshm, nuk ka pasur rastin të humb disa zgjedhje radhazi.
*Autori është kryetar i një Grupseksioni të PD- së në Shkodër