Nuk kanë kaluar as dy javë nga caktimi i Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme dhe një erë e re ka nisur të fryjë për Saimir Tahirin. Lirimi i Orest Sotës nga burgu ishte një vendim surprizë nga Apeli i Krimeve të Rënda, pas dyshimeve se Sota ishte një “korrier”, që mund t’i çonte hetuesit tek ish Ministri i Brendshëm.
Garancia që u kërkua për lirimin e Sotës, vetëm 5 milion lekë, duket qesharake nëse llogaritet shuma që iu gjet biznesmenit në makinë, (863 mijë euro).
Me lirimin e Sotës, prokurorëve i ikën nga duart një personazh i rëndësishëm i çështjes.
Ish shefat e policisë të përfshirë në trafik droge janë në arrati, ndërsa Nazer Seiti, financieri i Habilajve që u arrestua në Vlorë ekstradohet drejt Italisë.
Ky nuk ishte i vetmi lajm i mirë për Tahirin. Disa ditë më parë, një vendim tjetër surprizë ishte rikthimi i pasaportës dhe kartës së identitetit në duart e Saimir Tahirit. Dokumentet ishin bllokuar me kërkesë të prokurorëve, që patën dyshime se ish ministri mund të arratisej.
Ndoshta lajmet e mira për Tahirin janë një rastësi. Ndoshta, ka qenë e thënë që 2018, të jetë një vit i mbarë për ish ministrin por është fakt se hapat prapa në dosje u paralajmëruan nga opozita, që kur nisën procedurat për zëvëndësimin e Adriatik Llallës. Kjo ishte një nga arsyet kryesore të përplasjeve të forta në parlament, kundër emërimit të Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme. Opozita tha se caktimi i Arta Markut do të çonte në prishjen e hetimeve. Të gjitha gjasat janë se parashikimi po realizohet.
Ambasadori amerikan Donald Lu e takoi pak ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme. Ditën e takimit, ai u kujdes të porosisë Arta Markun që të vazhdojë me të njëjtat ritme hetimet për zbulimin e lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit. Por fill pas tij, Arta Marku priti në zyrë Fatmir Xhafajn. Nuk dihet mesazhi që i çoi Ministri i Brendshëm, por ditën e vizitës së tij, në prokurori u firmosën lëvizjet e para.
Pretendimet e mazhorancës, që Arta Marku ishte thjesht një zëvëndësuese e përkohshme apo një mekanizëm zhbllokues kanë rënë. Emërimet e reja treguan se Arta Marku është e gatshme të përdoret nga ata që e ngjitën në Prokurorinë e Përgjithshme dhe për ta, çështja Tahiri ishte një emergjencë. /Lapsi.al/