Nëse ju del në faqen tuaj në Facebook një ofertë që ju josh deri në fitimin e një autoveture vetëm përmes shpërndarjes së kësaj uebfaqeje, apo bërjes tag të miqve, nuk ka vend që të gëzoheni. Kujdes, se kjo ofertë është një mashtrim.
Ka disa ditë, në Facebook, disa faqe, të cilat kanë marrë dhe përdorur emrin edhe informacionin e disa prej brandeve të njohura të autoveturave, po përhapin oferta të rreme. P.sh., një prej faqeve të tilla premton se me rastin e 120-vjetorit të themelimit, kompania mëmë ka vendosur të dhurojë modelin X për njërin nga fansat më të flaktë. Ndjekësve u premtohet se për të fituar, ata duhet vetëm të bëjnë like faqen në fjalë, të bëjnë share këtë postim dhe të përmendin 3 miq në këtë postim.
“Monitor” u interesua pranë shpërndarësve zyrtare dhe mësoi se këto faqe janë thjesht një mashtrim dhe asnjë kompani nuk ka vendosur që të japë automjete falas vetëm duke bërë like apo share faqen.
Një nga arsyet e besueshme përse publikohen në Facebook oferta të tilla të rreme virale është shitja e faqeve.
Hapat që ndjekin janë:
Krijojnë faqe të reja me një emër çfarëdo/ ose përdorin faqe që kanë në përdorim.
Ndërrojnë emrin e faqes, duke vendosur një emër të një brandi të besueshëm.
Plotësojnë me informacion duke kopjuar të dhënat, artikujt dhe imazhet që përdorin faqet e Facebook zyrtare të brandeve.
Nxjerrin një ofertë gati të pabesueshme me elemente viralë (si në rastin e paraqitur “Like faqen tonë xxx; Bëje share këtë postim; Përmendni 3 shokë/shoqe në koment.”
Këto elemente nxisin në mënyrë të shpejtë rritjen e ndjekësve edhe të aktivitetit në këtë faqe.
Pasi arrijnë një numër të konsiderueshëm, ndërrojnë emrin e faqes.
I ofrojnë për shitje si faqe me trafik të lartë.
* Në raste të tjera, mashtrimi shkon përtej arsyes së mësipërme, deri në kërkesa për marrje të dhënash personale, kërkesa për pagesa me arsyetimin se jeni shpallur si fitues, etj. duke ju rrezikuar seriozisht ju dhe miqtë tuaj në facebook.
Si të mos biem pre e këtyre mashtrimeve.
Në momentin që vini re apo që ndesheni më këtë lloj promocioni, ju sugjerojmë të ndiqni këto hapa dhe këshilla:
Lexoni me kujdes në seksionin “Page Transparency” (që ofrohet si informacion nga facebook në faqen e rreme).
Në këtë seksion ju mund të mësoni rreth historikut të faqes. Nëse faqja është e hapur disa ditë më parë ose ka ndërruar emrin disa here shton dyshimin se oferta e bërë nga kjo faqe mund të jetë e rremë.
Navigoni në facebook dhe web për brandin që ka bërë ofertën. Gjeni numrin apo emailin zyrtar të kompanisë që përfaqëson apo zotëron brandin dhe sigurohuni për ofertën.
Nëse oferta është e rreme veproni sipas udhëzimeve zyrtare të facebook për këtë mashtrim dhe sigurisht lajmëroni miqtë që të mos bien pre.
Dhe kujdes: mënyrat, format apo tematikat që përdoren për mashtrime janë të shumëllojshme. /Monitor/