Një prej avokatëve të të akuzuarve për kultivim droge, shumica gra që vinin nga Tirana dhe rrethinat, për të pastruar kanabis, tha se një situatë e tillë tregon situatën ekonomike në Shqipëri që detyron nëna të merren me veprimtari të tillë të paligjshme për të siguruar bukën e gojës.
Megjithatë avokati tha se shumica e grave punëtore kujtonin se do të pastronin sherebelë dhe janë kapur menjëherë sapo kanë mbërritur.
“Prokuroria zbuti qëndrimin. Nuk kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe kjo është e sigurt. Nuk duam të komentojmë ligjshmërinë e veprimeve të policisë por duam të nënvizojmë të gjithë si avokatë gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare që 12 zonja janë të detyruara të rrinë 3 ditë në burg, duke lënë familjen vetëm, dhe dramën që ka shoqëria shqiptare që sheh vetëm 2 rrugë për të mbijetuar, njëra largimi nga Shqipëria dhe tjetra krijimi i mundësive të tilla, që të gjithë e dinë se është e jashtëligjshme por e bëjnë për të siguruar bukën e gojës.
Vijnë për të marrë 2-3 mijë lekë në ditë dhe gjejnë burgun. Ata kanë ardhur me idenë për të pastruar sherebelë dhe menjëherë janë arrestuar nga policia. Një familjeje, Gjoni, i janë arrestuar të gjithë anëtarë, përveç 2 fëmijëve të mitur, dhe ishin në burg. Gjykata u tregua e drejtë për masat e sigurisë.”, tha avokati.