Shqipëria nuk ia ka dalë të marrë rezultat pozitiv në transfertën e Islandës. Kuqezinjtë e Rejas në debutimin e tij, kanë zhvilluar një pjesë të pare loje të kënaqëshme, sidomos në gjysmën e parë të saj. Por ai që vlen është gjithmonë rezultati. Në momentin më të mirë të Shqipërisë, vjen pikërisht ndëshkimi nga Islanda. Një mbrojtje e përgjumur, çahet në qendër dhe krahun e saj të majtë duke lejuar vendasit të shënojnë golin e parë dhe të vetëm të ndeshjes. Gudmundson ndëshkon nga brenda zonës dhe ekipit shkojnë në pushim me këtë rezultat.
Pjesa e dytë ka nisur mirë për Kuqezinjtë, ashtu në pjesa e parë. Ka patur përpjekje për t’iu afruar portës islandeze por duket se problemi më i madh i yni vijon të mbetet furnizimi i sulmuesve e sidomos, “gjahtarët e golit”. E gjithë ndeshja u mbyll me këtë rezultat dhe duket se Shqipëria ka humbur atë që quhej “treni i fundit” për kualifikimin në Euro 2020.