Mësohet se Oslon Çutaj, 35 vjeç, i cili u arrestua nga policia e Shkodrës për kultivim droge është vëllai i Vildon Çutajt, që u vra në tetor të vitit të kaluar, bashkë me Klement Pepajn. Dy personat, Vildon Çutaj dhe Klement Pepaj u vranë nga Danjel Pepaj, i cili vazhdon të jetë në kërkim.
Dhjetë muaj më vonë, policia arrestoi vëllain e Vildonit, i cili kishte mbjellë drogë në zonën përreth banesës së tij. Bashkë me të, në pranga u vu edhe kryeplaku i fshatit Bajzë, Tonin Curaj që akuzohet për shpërdorim detyre.
VRASJA E VILDON ÇUTAJT DHE KLEMENT PEPAJ
Dy të rinjtë fillimisht u denoncuan të zhdukur nga të afërmit e tyre. Pas kërkimeve të kryera, janë gjetur edhe trupat e pajetë të Pepaj dhe Çutaj. Autori i dyshuar për vrasjen e tyre dyshohet se është shtetasi Danjel Pepaj.
Ky i fundit dyshohet t’i ketë qëlluar me armë pas një konflikti të dhunshëm që patën në fshatin Bajzë të Shkodrës, ndërsa kryefjala e këtij sherri ishte vjedhja e një sasie kanabisi.
LEXONI EDHE: EMRAT – Arrestohet kryeplaku i Bajzës në Malësi të Madhe, në pranga edhe një 35 vjeçar për kultivim kanabisi…
Për të sqaruar këtë fakt, Danjel Pepaj, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, shkuan të sqaroheshin tek parcelat e kanabisit që kishin mbjellë në mal. Por, sqarimi mes tyre, përfundoi në tragjedi.
Danjel Pepaj u hakmor ndaj Çutaj dhe Pepaj, pasi këta të fundit e kishin dhunuar më parë në fshatin Bajzë. Trupat e pajetë të Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj u gjetën 300 metra larg parcelës me kanabis të mbjellë nga Danjel Pepaj, ndërsa u transportuan në fshatin Vrith nga punonjësit e Policisë disa orë pasi u gjetën.
DEBATI PËR DROGËN DHE DËSHMIA E VILSON ÇUTAJT NË TETOR
Te lokali në Bajzë shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet të kenë dhunuar fizikisht personin tjetër, Danjel Pepaj, duke e akuzuar se i kishte vjedhur një sasi prej 20 kilogramë kanabis sativa, nën dyshimin se e ka korrur pa u treguar atyre dyve.
Në dëshminë e tij, vëllai i Vilson Çutaj ka deklaruar për policinë se ai nuk ka dëgjuar se për çfarë konflikti bëhej fjalë, pasi tre shtetasit e kanë zhvilluar debatin në pjesën mbrapa lokalit.
“Kur kam dëgjuar se po bërtisnin jam ngritur nga lokali dhe kam shkuar për t’i ndarë, por nuk e di për çfarë konflikti bëhet fjalë”, ka deklaruar në atë kohë vëllai i Vilson Çutaj, sot i arrestuar nga policia.