Shënim i ShkodraWeb
Sot në Shkodër u zhvillua një “betejë”, edhe mediatike. Sebepi ishte një aktivitet i përbashkët në mes pushtetit qendror dhe atij vendor, zyrtarisht pas një iniciative të shoqërisë civile. Aq më shumë kur pushtetet nuk janë të së njëjtës ngjyrë, mediat e kanë më të lehtë të evidentojnë “palët”. Në mes edhe këtë herë ishte Shkodra, ai vend ku kemi vendosur të jetojmë.
Për ata që ndjehen shkodranë e nuk flas vetëm për ata që kanë lindur brenda “vijave të verdha”, rëndësi duhet të ketë produkti i një aktiviteti si ai sot. Zyrtarisht u fol për rreth 6000 mijë fidanë të siguruar dhe që teorikisht duhet të mbillen. U siguruan nga Ministria, Bashkia apo shoqata në finale nuk besoj se ka shumë rëndësi. Pas disa muajve, ata që do të ngjiten në Tarabosh, vështirë ta identifikojnë nëse ishte fidan i siguruar nga shoqata, Bashkia apo Ministria. Nëse do ja dalë të rritet, pisha do të lëshojë hije edhe për atë që nuk ka patur asnjë kontribut ditën e sotme. E për ata që do ta shohin nga larg Taraboshin, do ti dergojnë një urim në eter atij që sot e mbolli me dorën e tij.
Meqenëse sot flitej për gjelbërim, ka një detaj tjetër që askush nuk po merret. I lumtë dora atij/atyre që sot mbollën, por a do të rriten? Ka një shifër të frikshme që sot e evidentuan specialistët, jo politikanët apo shoqëria civile. Rreth 60% e fidaneve të mbjellë sot, nuk do të arrijnë të rriten, pra do të “vdesin”. Arsyet? Janë të shumta. Kryesorja është menyra e mbjelljes: tjera kushte kërkon një fidan i gjatë 1.5 metër, të tjera një fidan 50 cm. Problem tjetër është ujitja gjatë stinës së nxehtë e në fund, rreziku i zjarrit në verë. Me statistika, rreth 2500 fidanë që mbase u mbollën sot, është e sigurtë që nuk do të mbijetojnë. Ateherë ishte apo jo show ditën e sotme, nuk u intereson shumë pas disa viteve edhe atyre femijëve që sot simbolikisht u ngjitën në Tarabosh për të dhënë një mesazh. E kujtohuni, po flasim për një zonë të mbrojtur, me status të veçantë dhe me personel që duhet kujdesur për të.
E për të vijuar me tej, për pastërtinë, turizmin, promovimin etj. Ata që pijnë duhanin, a mund të përbetohet dikush që ka qënë aq i vëmendshëm kur e ka hedhur atë pasi e ka konsumuar? Imagjinoni pak, sikur vetëm 10 mijë banorë të Shkodrës të hedhin nga një bisht cigareje në tokë çfarë ndotje kolosale do të krijohej për Shkodrën tonë. E nuk po flas për “bishta cigaresh” të ndezura ma apo pa dashje të hedhura edhe në Tarabosh. Flakët i kemi akoma parasysh. Asnjë nga kafshët eë jetojnë në atë zonë nuk i kanë hedhur… Të flasim për mbetjet urbane. Sa nga ne, të paktën një herë të vetme nuk kanë plasur në tokë pa e vrarë shumë mendjen, një facoletë letre, një kanaçe metalike apo një shishe plastike? Në disa raste, duke u kujdesur që të mos na shohë dikush… E nuk po flas këtu për qindra lokale që pasi kanë marrë fitimin e tyre, i hedhin mbetjet edhe në Tarabosh. Apo për bisneset e ndërtimit që e mbushin Kirin, Bunën apo Drinin me inerte. Nuk e di numrin e saktë të policëve bashkiakë të Shkodrës, por sado i lartë të jetë ai, nuk do të mjaftonte për ti qëndruar pas atyre që janë subjekte të ndotjes së mjedisit.
Në Shkodër shkojnë e vijnë shumë kryeministra, ministra, qeveri e delegacione. Nuk mendoj se duhet të jemi aq naivë sa të besojmë se atyre u dhimbset Shkodra më shumë se neve që jetojmë e do të jetojmë në këtë rajon. Nuk ka as më të voglin dyshim që Bashkia e Shkodrës ka përgjegjësitë e saj ashtu siç mund ti ketë edhe qeveria, ministria, shoqëria civile e me rradhë. Në çdo rast, pavarësisht shifrave të investimeve, ato nuk janë asnjëherë mjaftueshëm as për monitorim, pastrim, gjelbërim apo ndëshkim. E kështu ndodh me çdo qytet e bashki në Shqipëri e përtej saj. Madje, më ka rastisur të degjoj e të shoh edhe jashtë Shipërisë për qese plehrash që nga katet e larta, tentojnë të shënjeshtrojnë koshat e mbeturinave. Por në keto vende, ka një ndryshim të madh. Numri i atyre që abuzojnë është ne rendin 1-5% e totalit. Sepse atje nuk është “spiunllëk” ti kërkosh komshisë të mos fluturojë plehrat nga ballkoni, nuk është “spiunllëk” të marrësh në telefon për te denoncuar, nuk është “budallallëk” të paguash taksat e tarifat e pastrimit, gjelbërimit. E pasi të jemi në keto kushte, ti kërkojmë llogari deri më një bashkisë, ministrisë, qeverisë, shoqatave etj. Deri atëhere, për të gjithë ne, mbase vlen shprehja: Kush është i pa mëkat të hedhë gurin e parë…