Është një shkodran personi që dyshohet se i mori jetën një tropojani, tek i cili ai madje ishte i punësuar. Policia bën të ditur se Tahir Bajraktari, banues në Tiranë, është vrarë nga Nik Lulashi, 54-vjeç nga Shkodra. Viktima kishte udhëtuar nga Tirana në drejtim të Tropojës në fshatin e tij Doberdol për të kaluar pushimet. Bajraktari është qëlluar për vdekje brenda në banesën e tij. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje, por grupi hetimor brenda disa orësh ka konstatuar se jemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Autori i krimit ishte i punësuar nga Bajraktari në shtëpinë e tij në Doberdol. Mësohet se mes autorit dhe viktimës ka pasur një konflikt për çështjen e pagesës.
Banorë të zonës thonë se Tahir Bajraktari shkonte çdo vit në shtëpinë verore në bjeshkët e Tropojës ku kalonte pushimet, ndërsa njihej si njeri i qetë dhe pa probleme. Ai kishte rindërtuar shtëpinë në bjeshkë si dhe kishte arritur ta elektrifikonte vetë përmes investimit në një mini-HEC, me të cilin furnizonte me energji edhe fqinjët.