Edhe dje, në Kuvendin e fundit të Partisë Demokratike e fishkëllyen z. Eduard Selami. Si në vitin e largët ’95. U fishkëllye mendimi ndryshe e vlerësimi ndryshe për ecurinë e funksionimit të demokracisë brenda partisë, u fishkëllye konstatimi se pas humbjes së tri palë zgjedhjeve nuk është bërë asnjë analizë e përgjegjësi i humbjes nuk ka mbajt asnjë përgjegjësi. U fishkëllye konstatimi i zgjedhjes me vota të vjedhura i kryetarit të partisë.
Ndërsa shizma e rëndë e ndodhur në Partinë Demokratike, për shkak se me gomën fshirëse të lapsit të kryetarit në zgjedhjet e fundit politike u fshi një hise e madhe e kontributeve të partisë, u përcoll me një ftesë të hedhur në ajër nga prej tij, në thelb, po aq fyese për të larguarit sa vetë largimi i tyre… Dhe, përtej duartrokitjeve dhe ovacioneve, demokracia lëngon.
E demokracia e partive është demokracia e Shqipërisë; kjo është një e stërthënë, që në fakt ka zgjatur kaq shumë e po mban peng prosperitetin e Shqipërisë… Sot Shqipëria ka një opozitë politike më të largët (të distancuar)se kurrë më parë nga opozicioni popullor i paorganizuar dhe ky tashmë është opinion i gjithandejmë që zien. Në një anë, në anën e pushtetit i shoqëruar me fërkim duarsh dhe natyrisht që ky nuk do përfillur, po shqetësimi i vërtetë është ai që përcillet ndër demokratët.
Jo vetëm në ata që janë anëtarët aktivë të kësaj partie-simbol i historisë sonë, si partia që priu përmbysjen e regjimit e rithemeloi gjithë ngrehinën e shtetit bazuar mbi parimet e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë , po, më tepër se kaq, i shumë e shumë prej atyre të tjerëve që aspirojnë idetë e djathta të qeverisjes e të drejtimit të shtetit. Dhe për këtë mjafton të ndjekësh sado përciptazi debatin publik.
Por…asgjë më shpresuese nuk u duk edhe prej së sotmes kuvendore të Partisë demokratike. Ne kemi sot një pushtet të keq, arrogant, propagandist, rrenacak që drejton vetëm një Shqipëri virtuale. Dhe që ka shfaqë vetëm një synim deri tash; t’i frikësojë e t’i varfërojë shqiptarët me “të bërit shtet”, duke ua servirë qytetarëve shtetin si forcën që vetëm të detyron, por nuk ka detyrime vetë përreth tejeqytetarit, që e ke zgjedhë të të administrojë jetën tënde publike. Një taktikë e njohur kjo e regjimeve, që për të sunduar popujt, më së pari i varfërojnë deri në palcë ata.
Ua thajnë xhepin e barkun deri në kufijtë e urisë dhe njëherësh i kërcënojnë orë e çast me forcën e shtetit, që do të bëjë me ta rregullin, rendin dhe prosperitetin. Më pas u thajnë edhe trurin, duke ua plehëruar atë më mbidozë helmuese propagande, ritmikisht, përditë, përnatë, me televizion, me radio, me gazetë, me “Facebook”, me “Twiter”…Me “dëgjesa publike” e me përbetime se do të “qeverisim me popullin”. Dokrra ! Shqipëria tjetër, Shqipëria reale është ajo e varfërisë që rritet përditë, me ekonominë trokë e të orientuar vetëdijshëm me gjasë, në mënyrë të trishtë drejt drogës e parasë së zezë, që mëton të bëhet e shumtë me punë të aspaktë.
Korrupsioni rekord jo vetëm që ka forcuar padrejtësisht oligarkinë, por njëherësh ka çarë në dysh të drejtën themelore që shtetasit kanë në një vend demokratik për t’u nisur nga i njëjti start në realizimin e prosperitetit të tyre. Milionerë shqiptarë sot janë gjyqtarë e ministra e shtetarë gjithësojësh, që “s’u ka thanë kush puna e mbarë” deri sot. Ose të përlidhun me to. Korrupsioni dhe gjithë ky orientim i drejtimit të punëve të shtetit e ka kriminalizuar frikshëm jetën e shtetasve, me bekimin e padukshëm të vetë oligarkisë. Dhe e ka vagëlluar shpresën e tyre për të ardhmen se ky vend mund të bëhet, duke u lënë të vetmen alternativë; atë të ikjes nga sytë këmbët.
Të rinisë, sidomos, që është vitaliteti i vendit dhe i kombit. Siç thonë shifrat dhe jo veç opinionet e ç’ka , me gjasë është edhe synimi i fshehur i vetë oligarkisë, e cila e përcjell këtë që po ndodh me fërkim të fshehtë duarsh. Përballë këtij soj pushteti, opozita e zotit Lulzim Basha, për të cilin është thënë se “nuk po ngjit” e tillë, u shfaq edhe sot. Me gjithë veprimin e amullt e me mosveprimin e saj, por edhe me këmbënguljen gati frenetike për të konservuar krizën, siç u vu re edhe sot, ajo po venit edhe më shumë shpresën e venitur të shqiptarëve për ta rrëzuar despotizmin e këtij pushteti.
Zoti Lulzim Basha është instaluar në politikën shqiptare si preferenca trashëguese e prijësit historik të Partisë Demokratike, zotit Sali Berisha. 13 vjet më parë….Dhe ka ca kohë që, pas zhgënjimit të madh, prej leadershipit të tij 5-vjeçar në opozitë ka qarkulluar kërkesa për rikthimin e zotit Berisha…Po zoti Berisha aty është. Edhe sot ai aty ishte. Madje, dukshëm entuziast se gjërat po shkojnë mirë ! Në asnjë rast, zoti Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë pendese për zgjedhje të papërshtatshme të tij.
Së paku në publik. Përkundër edhe pse dukshëm i ngushtuar, sidomos pas dështimeve spektakolare të të përzgjedhurit të tij, veçanërisht në zgjedhjet e fundit parlamentare ku Partia demokratike në opozitë rezultoi me dyqind mijë vota më pak, ai ka bërë gjestin kalorësiak të mbrojtjes së të përzgjedhurit të vet.
Pa pyetur për çmimin që i duhej të paguante. Edhe pse akti i mbrojtjes ishte në rrethana dhe kohë, ndoshta nga më të papërshtatshmet për të. Po “djali” është”djali”, është krijesë e tij, i mirë a i keq qoftë, i aftë apo i paaftë, i zoti apo i humbur, i çiltër apo skuth. Edhe kur e pyet, edhe kur s’e pyet vetë atë. Edhe atëherë kur nuk i “duhet dreqit një lekë”, prapë djali është djali për Atin”.
Dhe zoti Berisha i ka njohur e respektuar si pak kush këto kode. Po dhe “djali” i respektueshëm e çmon urtinë e hershme: Bëmë babá të të ngjaj. Nëse Ati ka fshirë dikur…Pjetër Arbnorin dhe më vonë ka ftuar… Kastriot Islamin, biri do të fshinte Jozefina Topallin për Tritan Shehun…
Ose, nga të përzgjedhurit, me studime jashtë do të këmbente Tomor Alizotin me studime jashtë e kulturë të trashëguar perëndimore me një riosh pa emër të vetin…, ardhur dritareve të errëta të Partisë Demokratike. Shkolluar edhe ai në Europë thonë, por që në CV për deputet me vetëm shtatë a tetë radhë të shkruara, kishte shtatë a tetë gabime ortografike… Jemi në këtë hulli, edhe pse ata kontributet e fshira të kryetarit nuk i thonë.