Kreu i PD-së Lulzim Basha është informuar ‘live’ për deklaratën e komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi teksa ka përshëndetur qëndrimin e tij.
“Deklarata e komisionerit duhet të jetë e tanishme. Është e qartë, e përshëndes deklaratën e komisionerit për zgjerim. Rishpreh shqetësimin e thellë të BE-së dhe partnerëve tanë për shkatërrimin e klimës parazgjedhore dhe përpjekjen e Edi Ramës për të manipuluar sistemin para zgjedhjeve të ardhshme.
Përsëris qëndrimin e PD para dhe pas dekretit të Presidentit Meta që kjo është një goditje e rëndë ndaj shanseve të Shqipërisë për integrimin europian dhe përgjegjësi është vetëm një. Ai që ka vënë xhepat e tij dhe të hajdutëve të tij para shqiptarëve tani po vendos pushtetin e tij dhe frikën e largimit nga pushtetit para integrimit europian të vendit dhe një klime të qetë zgjedhore.
Pa diskutim e mbështes këtë apel të komisionerit Varhelyi në emër të KE dhe shpresoj që Komisioni i Venecias të ndërhyjë për të treguar fare qartë atë që ne demonstruam gjatë gjithë këtyre muajve në tryezën e Këshillit Politik se ne ishim të përkushtuar për standarde zgjedhore dhe Edi Rama ka një tmerr të papërshkrueshëm nga procesi i ardhshëm zgjedhor dhe për këtë arsye ka shkelur dhe ka dhunuar standardet minimale zgjedhore që Europa i konsideron të domosdoshme për zgjedhje demokratike”, deklaroi Basha.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me qëndrimin e komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi, ku ky i fundit i kërkon Kuvendit që të presë opinionin e Komisionit të Venecias para se të rivotojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Përmes një mesazhi në Twitter, kreu i qeverisë tha se mendimi i ‘Venecias’ është i mirëserardhur, por nënvizoi faktin se presidenti pranohet ose rrëzohet nga parlamentit. Rama e përsiriti se; parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë në lidhje me kodin.
MESAZHI I RAMËS
Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! PARLAMENTI DO TË RISHPREHET PA HUMBUR ASNJË DITË! Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë Shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng!Opinioni i Venezias mirësetëvijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave.