Është publikuar edhe fotografia e të riut shqiptar, i cili u vra nga ish-bashkëshorti i të dashurës së tij në Itali.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Spinea të Italisë, ku autori i masakrës, Viron Karabollaj, 40 vjeç, vrau me thikë ish-bashkëshorten e tij, Mynevere Karabollaj, 37 vjeç, e njohur si ‘ Vera ‘ dhe të dashurin e saj Flonino Merkuri, 23 vjeç.
Vironi u gjet i vdekur pasi vrau ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj të ri në mbrëmjen e së dielës 20 nëntor në një shtëpi në Spinea, në zonën e Venedikut.
Ngjarja është zbuluar nga vajza e “Verës” pasi ajo është kthyer në shtëpi.
15-vjeçarja ka gjetur trupin e pajetë të partnerit të mamasë së saj të shtrirë në tokë në garazh. E frikësuar ajo është largua dhe ka lajmëruar policinë. Vetëm më vonë, ajo mësoi se edhe nëna e saj kishte humbur jetën në të njëjtën mënyrë.
Më pas, ka pritur jashtë shtëpisë për mbërritjen e karabinierëve. Pasi policia ka mbërritur në vendngjarje ka zbuluar trupat e viktimave dhe thikën me të cilën ish-bashkëshorti i 37-vjeçares kishte kryer vrasjen e dyfishtë.
Mynevere Karabollaj u gjet në katin e parë, ndërsa partneri i saj në garazh. Në trupin e të riut ka pasur shenja dhune, ndaj mendohet se ai është përpjekur të vetëmbrohet.
40-vjeçari Viron Karabollaj goditi për vdekje ish-gruan e tij Mynevere Karabollaj dhe partnerin e saj të ri, Flonino Merkuri.
Më pas burri u vetëvar në magazinën e Veneta Ponteggi në Chirignago, kompania për të cilën punonte prej disa kohësh. Trupi i tij i pajetë u gjet nga karabinierët pak orë para vrasjes së dyfishtë.
Mynevere Karabollaj, e njohur si Vera, prej disa vitesh jetonte me të shoqin në shtëpinë në Spinea, por dy vite më parë 40-vjeçari ishte larguar nga banesa.
Më pas, ajo kishte nisur bashkëjetesën me shqiptarin Flonino Merkuri. Sipas prokurorisë së Venecias, Viron Karabollaj e kishte planifikuar vrasjen me përpikmëri.
Fillimisht, priti që vajza e tyre e madhe, 15-vjeçe, të dilte nga shtëpia me miqtë për të shkuar në klub. Më pas, ai dërgoi vajzën e tij më të vogël, 13-vjeçe, në banesën ku jetonte pas ndarjes nga bashkëshortja dhe shkoi në shtëpinë ku banonte ish-gruaja e tij dhe partneri i ri.
Ka dyshime se 40-vjeçari nuk kishte mundur të pranonte lidhjen e re të ish-gruas së tij me 23-vjeçarin.