Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar gabimin më të rëndë që ka bërë në karrierën e tij politike.Berisha tha se gabimi më i madh i tij lejimi i firmave piramidale. Ai theksoi në emisionin “Hard Talk” se duheshin bërë përpjekje shumë më të mëdha për t’i bllokuar me një ligj të veçantë.
“Një gabim tragjik, një gabim të rëndë, ishte lejimi nga ana e qeverisë dhe e Partisë Demokratike dhe e Presidentit të asaj kohë të firmave piramidale. Ndonëse, i rikujtoj shqiptarët se ne i paditëm ata në gjykatë dhe ata fituan gjyqin me pretekstin se fajdet janë të parashikuara në çdo kod civil të botës.
Ne nuk kishim mekanizmat financiare mbrojtëse për tregjet financiare jo bankare dhe pësuam një krizë shumë të thellë për të cilën komunistët rrëmbyen armët, organizuan një rebelim pothuaj të armatosur.
Lejimi, ky është një gabim i rëndë, padiskutim. Domethënë, vërtet ne i çuam në gjykatë dhe ata e fituan gjyqin, por përsëri mendoj unë përpjekje shumë më të mëdha duheshin bërë për t’i bllokuar me një ligj të veçantë.
Në mënyrë absolute deri në vitin 1996 asnjë institucion ndërkombëtar nuk ka shprehur shqetësimin më të vogël. Ne kemi filluar së bashku me fondin hartimin e ligjit për bllokimin e tyre pasi i kishim ndaluar me një ligj parlamenti.
Ne na thuhej nga institucionet ndërkombëtare se këto janë fenomene, janë dukuri që shfaqen në rritje të shpejtë dhe na thuhej “ja se dhe Izraeli i ka, edhe ky vend i ka, edhe ai vend i ka”. Nuk njihnim ne skemat e Pollsit të jemi të hapur, nuk kisha as unë dhe as ata që më rrethonin mua”, u shpreh ai.