Ka zgjatur fare pak koha nga largimi i Mirel Josës prej pankinës bardhezi. I ngjan një rokade pasi emri i ri i stolit teknik të Laçit vjen shpejt dhe i përket Shpëtim Duros. Një njohje e vjetër e klubit laçian.
Një vit më parë teksa Laçi bëhëj gati për tu ndeshur me Teutën në ‘Niko Dovana’, Laska e emëroi në mënyrë surprizë Shpëtim Duron si teknik të bardhezinjëve. Debutimi me barazim 1-1 dhe më pas karvali i sukseseve të njëpasnjëshme të Laçit, bënë që skuadra të kthehej në pretendente për titull deri në javën e fundit.
Më pas ecuria fantastike në Conference League me Duron në timon duke eleminuar fillimisht malazezët e Podgoricës, rumunët e Universitateas Krajovës e më tej përballja dinjitoze në turin e tretë me Anderlehtin e Belgjikës.
I kontaktuar nga ‘Sportiim.al’ Presidenti i klubit të Laçit Pashk Laska tha: “Situata e skuadrës prej disa javëve nuk ishte e duhura. Humbja me Tiranën dhe vargu i rezultaëve jo të mira kanë vënë në diskutim objektivët e klubit.
Respektojmë punën e Josës por skuadra ka nevojë për ritëm tjetër në këtë fazë përmbyllëse të kampionatit. E kush më mirë se Duro njeh këtë grup. Jam i gëzuar që ai pranoi të rikthehej. Fundja Shpëtim Duro është i shtëpisë”.