Vllaznia në futboll për femra kurorëzoi një sezon fantastik duke fituar kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë. Skuadra shkodrane ashtu sikurse ka ndodhur këto vitet e fundit, ka fituar të drejtën për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.
Për kampionet kuqeblu së fundmi vjen edhe një tjetër lajm pozitiv, pasi ato tashmë pritet të jenë më të favorizuara në shortin e eventit europian. Paraqitjet pozitive që Vllaznia ka bërë në dy edicionet e fundit në Champions League, kanë bërë që kjo skuadër të fitojë shumë pozicione në renditjen e UEFA-s dhe tashmë do të jetë një vazo më lart, në atë të dytën.
Kjo do të thotë se në shortin e edicionit 2019-2020, që do të mbahet më 21 qershor, pritet të jetë më e favorizuar. Kështu, kampionet e Shqipërisë do të kenë vetëm një skuadër më të fortë se vetja në short, ndërsa ekipet e tjera janë poshtë saj në klasifikimin europian.
Në dy sezonet e fundit të Ligës së Kampionëve, Vllaznia ka arritur të fitojë nga dy ndeshje në grup, por pa mundur ta sigurojë kualifikimin për më tej. Në renditjen e klubeve që do të marrin pjesë në kualifikuese, Vllaznia pozicionohet në vendin e 19-të nga 40 ekipe gjithsej.