“Gazeta Shqiptare”, një prej të përditshmeve më të vjetra në vend ka vendosur të ndalojë publikimin e saj të shtypur, ndërsa do të vazhdojë të botojë në versionin e saj online.
“Gazeta Shqiptare” ishte një nga 7 të përditshmet që ende botoheshin dhe mbyllja e saj varfëron më tej shtypin e shkruar në Shqipëri.
“Nga sot Gazeta Shqiptare do të mungojë në treg. Një pjesë e shpirtit tim sikur ka ‘vdekur’ bashkë me heqjen e saj nga tezgat”, shkroi në Facebook gazetarja Klodiana Lala, një prej gazetareve që punoi për gati një dekadë pranë kësaj gazete.
Trëndafile Visha, gazetare dhe drejtuese e Gazetës Shqiptare deri në ditët e fundit të publikimit, shkroi në një status emocional se mbyllja e versionit të shtypur të gazetës ishte “një vdekje e paralajmëruar”.
“Ishte një vdekje e paralajmëruar, një vdekje pas një lëngate të gjatë, dhe aspak në nderin e saj, aspak në nderin e saj”, shkroi Visha, duke shtuar se e marta, 30 korrik 2024, ishte dita e fundit e publikimit të Gazetës Shqiptare. Numri i fundit u shtyp më 31 korrik.
Ndalimi i shtypjes së Gazetës Shqiptare është vijim i krizës së gjatë të shtypit të shkruar në Shqipëri, ndërsa numri i të përditshmeve dhe kopjet në qarkullim kanë rënë kohë pas kohe.
“Gazeta Shqiptare” ishte një nga gazetat e pavarura më të vjetra në Shqipëri. Ajo u themelua me këtë emër në viytin 1927 dhe u publikua deri në vitin ë 1939, me pushtimin fashist të Shqipërisë.
Ajo rifilloi të publikohej më 22 prill 1993 nga kompania italiane “Edisud S.p.a” dhe prej asaj kohe ishte një prej të përditshmeve më të rëndësishme në vend. Në vitin 2011, “Gazeta Shqiptare” kaloi në pronësinë e kompanisë “Focus Press” të themeluar nga Irfan Hysenbelliu dhe i ndjeri Artan Santo. Ajo ishte pjesë e grupit mediatik “Focus Group“, së bashku me televizionin “News 24”, portalin e lajmeve “Balkanweb”, radion “RASH” dhe portalin online “gsh.al”.