Shkencëtarët e universitetit të Oksfordit njoftuan se sipas gjetjeve paraprake vaksina e tyre eksperimentale që lufton koronavirusin ka treguar se ka nxitur një përgjigje imunitare tek qindra persona të cilët ishin pjesë e eksperimentit.
Studiuesit britanikë nisën testimin e vaksinës në muajin prill tek rreth 1 mijë vetë. Vaksina eksperimentale u injektua tek gjysma e tyre. Teste të tilla të hershme janë projektuar për të vlerësuar sigurinë dhe për të parë se çfarë lloj reagimi imunitar provokon vaksina, por nuk mund të dalin në përfundimin nëse vaksina mbron vërtet.
Në hulumtimin e publikuar të hënën në revistën “Lancet”, shkencëtarët thanë se kishin zbuluar se vaksina e tyre eksperimentale kundër COVID-19 prodhonte një reagim të dyfishtë imunitar tek njerëzit e moshës 18 deri 55 vjeç, që zgjaste të paktën dy muaj pas imunizimit të tyre.
“Po shohim një reagim të mirë imunitar tek pothuajse të gjithë (pacientët)”, tha Doktor Adrian Hill, drejtor i Institutit “Jenner” në universitetin e “Oksfordit”.
“Ajo çka bën këtë vaksinë të veçantë është se nxit të dy krahët e sistemit imunitar”, tha ai. Zoti Hill tha se vaksina mundësoi prodhimin e antitrupave neutralizues, molekula të cilat janë thelbësore për bllokimin e infeksionit. Për më tepër, vaksina shkaktoi një reagim të të ashtuqujturave qelizat T të trupit, të cilat ndihmojnë në luftimin e koronavirusit.
Vaksina eksperimentale COVID-19 shkaktoi efekte të vogla anësore si temperaturë, të dridhura dhe dhimbje të muskujve. Zoti Hill tha se janë ende në proces prova më të gjera klinike për të vlerësuar efektivitetin e vaksinës, që përfshijnë rreth 10 mijë persona si në Britani ashtu edhe në SHBA, Afrikë të Jugut dhe Brazil.
Një tjetër provë klinike është planifikuar të nisë së shpejti në SHBA, duke synuar të përfshijë rreth 30 mijë persona.
Sipas zotit Hill studiuesit mund të kenë të dhëna të mjaftueshme deri në fund të vitit për të vendosur nëse vaksina duhet të miratohet për një fushatë vaksinimi masiv.
Ai tha se vaksina dukej se prodhonte një nivel të krahasueshëm të antitrupave me ato të prodhuara nga njerëz që ishin shëruar nga COVID-19 dhe se shpresonte që përgjigja e qelizave T të siguronte mbrojtje shtesë.
“Ka dëshmi në rritje se të kesh një përgjigje nga qelizat T si dhe antitrupa, mund të jenë shumë e rëndësishme në kontrollin e COVID-19”, tha zoti Hill.
Ai sugjeroi se reagimi imunitar forcohej pas injektimit të një doze të dytë të vaksinës. Gjatë provës së tyre klinike u testuan dy doza të saj në një distancë prej rreth katër javësh. Zoti Hill tha se vaksina e Oksfordit është krijuar për të dobësuar sëmundjen dhe transmetimin.
Ai shtoi se “Oxfordi” ka bashkëpunuar me kompaninë e prodhimit të barnave “AstraZeneca” për prodhimin e vaksinës në nivel global dhe se kompania është zotuar tashmë të prodhojë 2 miliardë doza. /VOA/