Merkata e Rusit, tregu më i njohur në qytetin e Shkodrës, shumë shpejt do të rihapet. Pasi iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë falë investimit të Bashkisë Shkodër, ajo do të rivihet në shërbim të tregtarëve por në kushte shumë më të mira dhe optimale. Madje, këtë herë garantohet pastrimi por edhe ruajtja nga shërbimet e Bashkisë Shkodër. Lajmi është bërë publik nga Bashkia e Shkodrës përmes një postimi në Facebook, ku kryetarja e Bashkisë Ademi, në një intervistë për mediat jep lajmin e mirë për rreth 100 tregtarë.
“Për 10 ditë do të fillojë sistemimi i tregtarëve në Merkatën e Rusit në qytetin e Shkodrës. Në përgjigje të interesit të gazetarëvce, kryetarja e Bashkisë Shkodër zj. Voltana Ademi ka treguar të gjithë punën e bërë për formalizimin e këtij tregu por edhe përpjekjet për ti krijuar kushte më të mira duke garantuar pastrimin dhe ruajtjen e tregut.”, thuhet në postimin e Bashkisë Shkodër në Facebook i cili shoqërohet me një intervistë të Ademit.