ShkodraWeb e ka patur si mision që në hapat e parë, të jetë jo vetëm një tribunë e mendimeve të ndryshme por edhe zëdhënës i interesave, problematikave dhe halleve të qytetarëve. Kemi botuar vazhdimisht letra të ardhura në redaksi, sigurisht duke verifikuar se janë persona real.
Ditën e sotme, në redaksinë e ShkodraWeb ka mbërritur mail nga Italia. Është një shqetësim i ngritur nga një zonjë shkodrane në Itali, e vitlindjes 1958, e cila ngre një shqetësim qytetar, i cili mbase mund të jetë edhe i të tjerëve.
Letra do të publikohet më poshtë e plotë, pa asnjë lloj censure, me synim përcjelljen e një problematike, duke ruajtur anonimatin sipas dëshirës së zonjës. Ndërkohë, nëse ka ndonjë reagim nga institucioni që anatemohet, jemi të hapur ti japim të njëjtën hapësirë në ShkodraWeb.
Vendosa të shkruaj te ShkodraWeb mbasi kam pasë nji problem me Sigurimet Shoqërore Shkodër, sepse me kanë ba me humb nji vit të pensionit vetëm për nji mesazh o telefonatë të munguar për të më vu në dijeni në kohë. E pranoj që asht faji jem se duhet ta dija ligjin e duhet interesohesha ma mirë, dhe në bankë për fat të keq nuk isha e informume për hyrjet e pensionit mbasi nuk kisha aplikacionin që kam tani.
Në korrik 2022 isha në Shkoder (mbasi jetoj në Itali) u vuna në dijeni të problemit dhe fola me zonjën e Sigurime Shoqërore. Ajo më tha që duhet të kisha ardhë për të zgjedhur mes pensionit tim ose të burrit, ku kam mbush 60 vjeç. I thashë që nuk e kam ditë, e pse s’më keni vu në dijeni në ndonji mënyrë.
Si përfundim më tha që të paguhen tre vite dhe nji vit e kam humbur. Bana ankimim në Komisionin Rajonal të Ankimimit dhe në Komisionin Qendror të Ankimimit dhe përgjigja ishte me refuzim. Normalisht, se kështu është ligji e unë e prisja këtë përgjigje. Por qëllimi pse po shkruaj është i natyrës njerëzore.
Si ka mundësi që gjatë kësaj kohe punonjësit e Sigurimeve Shoqërore nuk morën mundimin ose ma mirë me thanë, nuk patën mirësinë me më vu në dijeni me kohë që unë të mos humbja nji vit pension, me një mesazh, telefonat ose te banka që unë isha në vitin 2021 për të firmos deklaratën e gjallesës?
Më vjen shumë keq që në këtë institucion mungon humanizmi ose qëllimi me ba mirë. Natyrisht që nuk e kanë me detyrë por jena njerëz në radhë të parë e për këtë besoj se duhet të na vrasë ndërgjegja sepse në fund të fundit edhe ligjet janë për të mirën e njerëzve. Apo jam gabim!?