Majlina Laçaj, e emëruar nga viti 2015- të në detyrë, nuk do të jetë më drejtore e Drejtorisë Rajonale të Trashegimisë Kulturore, Shkodër. Ajo i ka liruar postin Besara Podgoricës, e cila nga sot është zyrtarisht drejtore. Siç dihet, ishte hapur një konkurs për drejtorin e ri dhe mesa duket Podgorica është përzgjedhur. Lajmin e ka dhënë vetë e sapo emëruara Podgorica, përmes një publikimi të gjatë në Facebook.
Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe ka punuar si lektore në Universitetin e Shkodrës nga 2017 deri më sot, sipas asaj që shkruhet në profilin e saj në rrjete sociale. Drejtorja e re e DRTK- së Shkodër ka spikatur edhe si aktiviste shoqërore me angazhimin në shumë kauza publike, edhe si pjesë e shoqatës “Gruaja tek gruaja”, e drejtuar nga prefektja aktuale e Shkodrës Majlinda Angoni. Publikimin e saj në Facebook Podgorica e shoqëron me një foto me ministren e Kulturës Elva Margariti. ShkodraWeb i uron suksese në detyrën e re Besara Podgoricës.
PUBLIKIMI NË FACEBOOK I BESARA PODGORICA
Nga sot, zyrtarisht do të jem në krye të Drejtorisë Rajonale të Trashegimisë Kulturore, Shkodër. Ndihem e nderuar të ushtroj këtë funksion publik në vendlindjen time, në Shkodër.
Kam mirëpritur e mirëpres mesazhet dashamirëse, urimet dhe përgëzimet e mbi të gjitha mbështetjen e miqve të mi.
Falë jush, mesazheve pozitive dhe promovuese, besimit dhe motivimit, e kam pranuar këtë rol drejtues, jo si një privilegj në këtë rrugëtim të ri në karrierën time, por si një sfidë.
Me dëshirën që të kontribuoj për Shkodrën, vendlindjen time të dashur, me ekspertizën dhe pasionin tim për traditën, kulturën e gjithçka të bukur që ky qytet të fal.
Jam e bindur, plot energji pozitive dhe e lumtur që kam mundësi të kontribuoj e të vazhdoj rrugëtimin e gjyshit tim të nderum Fadil Podgorica, një erudit i lindur për kulturën, folkorin, etnografinë, dhe e ndjej që jam dhe do të jem në rrugën e drejtë sa të jem duke ndjekur gjurmët e tij.
Shkodra ka përcaktuar gjithmonë drejtimet, i ka paraprirë qytetërimit shqiptar duke qenë në të njëjtin hap me qytetërimin botëror . Mendjet e ndritura nga ky qytet kanë shkruar gjuhën e historinë, kanë lëvruar artet e dijet e kohëve. Në Shkodër nisin të shkruhen librat e parë, të këndohen këngët e para, të luhen dramat e para, të bëhen fotot e para, të shfaqen filmat e parë, të luhet së pari futboll, të dëgjohen pianot a para nëpër shtëpi, të kompozohen operat e para.Gjenezë. Shkodra është gjeneza!!
Dhe unë më shumë se kurrë dua që keto fjalë të tingellojnë edhe sot si dikur . Ju falenderoj shumë e shumë miq shkodrane e më tej