Nga Blerti DELIJA
27 janari po paraprihet nga takime të përditshme të kryetarit të PD-së Lulzim Basha me strukturat demokrate dhe qytetarët. Takimet ballë për ballë janë prova e parë e PD-së për vitin 2018, njëkohësisht edhe debutimi i saj duke patur në krah LSI-në e drejtuar nga Monika Kryemadhi. Nuk është thënë asnjëherë publikisht, por duket se Basha ka zgjedhur të ketë në krah Kryemadhin në opozitën e re me parimin që mbizëtëron politikën tash 27 vite “e keqja më e vogël”. Sepse opozita përkthehet përveç frymës edhe në numra në Kuvend.
Monika Kryemadhi po tenton të bëhet pjesë e rëndësishme e lidershipit të opozitës aktuale. Në fakt, për herë të parë që nga krijimi, LSI po tenton të marrë këtë pozicion në spektrin politik ku thuajse gjithmonë ka qënë pjesë e pushtetit. Ashtu si Basha edhe Kryemadhi po organizon një tur në shumë qytete të vendit pët të mobilizuar ndjekësit. Në këtë simbiozë me Bashën, LSI po identifikon si të keqen më të madhe Edi Ramën. Në të njëjtën linjë me Bashën, duke i harruar edhe sinkroninë e plotë kundër LSI-së që lideri demokrat dhe kryeministri aktual prezantuan kundër partisë sot të drejtuar nga Kryemadhi.
Nuk është e lehtë të jesh pjesë e lidershipit opozitar pasi ke qënë 8 vite në pushtet qoftë me sitëngjashmit politikë, ashtu edhe me ata që teorikisht janë rivalë politikë. Për të arritur këtë, Kryemadhi ka zgjedhur rrugën e “mea culpa”. Madje, përvec pranimit të shumë fajeve në qeverisjen me Ramën, shefja e LSI-së nuk po kursen as bashkëshortin sot president vendit e me herët kryetar i partisë së saj. Strategjia duket efikase, por rezultati real do të testohet me 27 janar.
Lidershipi opozitar i Kryemadhit po favorizohet edhe nga zhdukja nga skena e takimeve politike e aleatëve tradicional të PD-së. Asnjë drejtues i partive të djathta, nuk po i bashkangjitet Bashës në turin e tij. Mbase fakti se ata kanë dalë nga listat e PD-së si deputetë, zbeh rolin e tyre në gjirin e opozitës. Ndoshta është momenti i rikthimit të idesë së Federatës se Djathtë, duke shkrirë praktikisht partitë e tjera. Politika është demostrim force edhe në numra dhe bonuset e pritshme nga “27 janari” do të ndahen vetëm në mes Bashës e Kryemadhit. Kjo e fundit nuk shqetësohet aspak edhe kur i duhet të ngjit shkallët e selisë blu për te takuar Bashën, ndërsa ky i fundit duket se nuk ka ndërmend të ngjitet në selinë e LSI-së për të krijuar paritet politik.
Duke u ulur në nivel lokal, në Shkodër nuk ndjehet shumë fryma e bashkëpunimit në mes PD dhe LSI. Mbase ky ka qënë edhe orientimi nga selitë qëndrore, teksa po tu besosh rrjeteve sociale në ndershmërinë e deklarimeve publike, nuk ndjehet ndonjë frymë pakënaqësie publike në mes palëve. Madje duhet thënë se edhe fryma deri diku agresive gjatë fushatës, është fashitur.
Sot Basha- Kryemadhi kanë bashkuar forcat për të identifikuar publikisht edhe përmes ketij bashkimi të çuditshëm, të keqen më të madhe për vendin sipas tyre: Edi Ramën! Por mendoj se nuk është vetëm kaq. Të paktën zgjedhjet e 2019-ës do ti gjejnë në të njëjtën anë të barrikadës politike, në një aleancë për të fituar sa më shumë Bashki në vend. Por ndarja e pushtetit qoftë edhe lokal, mund të ndikojë në prishjen e ekulibrave PD-LSI. Atëherë cdo përpjekje, qoftë edhe 27 janari do të ishte e pavlerë. Sepse gjykoj, në takimin e rradhës për zgjedhjet politike PD dhe LSI nuk mendoj të jenë bashkë në një koalicion. Nuk është thjesht çështja e “kapërcimit të ylberit” politik nga palët. Por në rastin më të mirë, do të ishte një “deja vu” politike me të vetmin ndryshim në emra: Nga Berisha- Meta tek Basha- Kryemadhi!