Lidhur me këtë, kreu i grupit parlamentar të PS deklaroi se çështja e Pjetrit është diskutuar në PS dhe ditët në vijim, sipas tij, do të ketë një zgjidhje jo vetëm për këtë parti, por edhe për çdo forcë politike, ndonëse nuk dha detaje se si do të zgjidhet kjo situatë.
Ai tha se Valdrin Pjetri, i cili ka dhënë dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve nga PD, ku rezultonte i dënuar në Itali për trafik d.roge, duhet të përballet me ligjin në mënyrë individuale, pasi përgjegjësitë nuk mund t’i marrë forca politike. Sipas numrit 2 të PS, nëse Valdrin Pjetri nuk ka deklaruar ngjarjen në Itali në formularin e dek.riminaizimit, ligji e ka të qartë dënimin për të dhe këdo tjetër.
“E para, në PS është diskutuar për këtë çështje dhe ajo që ne do të bëjmë në vijim është zgjidhja jo vetëm për ne, por për çdo forcë politike. Duhet të kuptojmë se marrëdhënia me ligjin është një marrëdhënie individuale dhe përgjegjësitë nuk mund t’i marrë forca politike, që nga verifikimet paraprake na verifikonte që Pjetri nuk ka pasur probleme. Ne jemi vënë në dijeni të një certifikate, ajo që lëshon Ministria e Drejtësisë, që ka të bëjë me mos të qenit i dënuar. Nëse nuk e deklaron, ligji e ka të qartë edhe dënimin”, tha Balla.