Tregojnë një histori interesante në Bregun e Matës (Matit). Në qendër të saj është një person, në kapërcyell të moshës së tretë por që dukej shumë më i plakur se mosha. Në rrethana që fabula nuk i rrëhen, Shtejfni ishte një person kërcu i vetëm. Që në një moshë që ai nuk e kujtonte, ai sherbente në një familje të kamur të zonës. I qetë, i butë, i gjindshëm dhe mbi të gjitha, i duruar. Aq i duruar, sa të gjitha problemet e familjes ku jetonte, të gjitha hallet e dertet, ia ngjisnin ose i merrte përsipër pa nxjerrë zë.
Ai punonte në ambjentet e brendshme të shtëpisë së pasanikut, po edhe kur humbiste një dele në mal, refreni ishte: E ka fajin Shtjefni! Binte shi atëherë kur nuk duhej ose bënte thatësirë duke dëmtuar të mbjellat, përsëri e njëjta gjë: Fajtori është Shtjefni! Shkonte të bluante miellin për familjen dhe mulliri me ujë nuk punonte, sërish: Për faj të Shtjefnit! Asnjëherë asnjë falenderim për punët që kryente çdo ditë, vetëm i kujtonin se ishte…fajtor për çdo gjë. E sherbëtori i mirë, nuk ndjehej asnjëherë, kapërdinte gjithçka dhe pasi kryente punët e zakonshme, shtrihej në kthinën e tij për të fjetur.
Një ditë u ngrit si zakonisht e u habit kur pa lëvizje nëpër shtëpi. Të gjitha gratë, edhe sherbetorët lëviznin papushim, merrni dhe çonin govata me ujë të ngrohtë e të ftohtë, çarçafë e pelena, me një perqendrim të paimagjinueshëm. Dukej se diçka kishte ndodhur por Shtjefni ishte mësuar të mos pyeste. Rrëmuja i shtoi ankthin, kishte frikën se diçka e keqe kishte ndodhur dhe mund të mbetej mes katër rrugëve. Dikur, vendosi të prishë rregullin e tij të heshtje.
-Pash Zotin ça ka ndodh në këtë shtëpi, lëshoi një pyetje drejtuar askujt.
Askush nuk iu përgjigj, ndërsa po shtoheshin lëvizjet e grave por edhe burrave nëpër ambjentet e shtëpisë së kamur. Pas disa minutave, sytë i zunë një heqim apo doktor si i thonë sot. Doli nga një dhomë, tek dera mori një kutrovë dhe u fut sërish brenda pa folur me askënd. Këtu drithërimat i prekën trupin. Vendosi të mos heshtë më. U ngrit nga stoli dhe kapi për krahu një nga sherbetoret.
-Marije, pash të madhin Zot, a po më thoni ça ka ndodh…?!
Marija, e besdisur por edhe e ndjeshme duke parë tromaksjen e Shtjefnit, i gjegjet:
-Kurrgja mor Shtjefen, zoja Katrinë ka lind fëmijë…
Mori frymë lehtë dhe u ul sërish në të pasmet e veta. Iu kujtua se zonja e shtëpisë së kamur, ishte në pritje të një fëmije dhe bashkëshorti i saj, “pronari” i Shtjefnit, pas dy vajzave priste që Zoti ti falte trashëgimtarin mashkull. Drodhi një cigare dhe ndërsa po përpiqej ta ngjiste letrën e hollë me buzët e lagura, gjithçka ndaloi disa sekonda. U ngrit përsëri nga stoli, kërkoi me sy dhe gjeti Marijen, tash ma e relaksuar. Gati- gati Marija u ndal vetë përballë Shtjefnit.
-Ça ka lind zoja jonë mori Marije, e pastë me jetë e me nafakë bashkë me Nikollën…?
Nikolla ishte i zoti i shtëpisë që priste ti vinte në jetë trashëgimtari. Burrë i sertë, i pashkolluar dhe me dije natyrore të pazhvilluar. Por me gja, sende e pare si ai në Bregun e Matës. Marija vë buzën në gaz, shend e verë i thotë:
-Vajzë more Shtjefen, vajzë…
Nuk kishte mbaruar akoma fjalën Marija, teksa i moshuari u shemb mbi stol. U zverdh, sytë gati iu mbyllën. Gjunjtë nuk iu ndjente të vetat. Fyti iu tha si me magji e kryet iu var në gjoks. Me sytë e mendjes pa Nikollën, pronarin e tij që priste trashëgimtarin…
-Ça pate more Shtjefën, ça të gjeti…, në vend që të gëzohesh, ti gati vdeke…
Shtjefni gjen forcë, shkëput kryet nga gjoksi i tij e sheh Marijen në kokërr të syrit.
-Eh moj Marije, tash ta po thonë prap se e ka pas fajin Shtjefni…
Në fakt, këtë store e kam pas dëgju para shumë e shumë vitesh, ndoshta para 1990- ës. Çuditërisht mu kujtua sot, teksa më doli para një postim i kryeministrit Edi Rama, i cili njoftonte të gjithë shqiptarët se lindi fëmija i parë afgan në Shqipëri. Nuk e di pse e përceptova kryeministrin Rama si Shtjefnin e kësaj rrefenje që u përpoqa ta rikthej për ju ashtu siç e kujtoj unë. Sepse nuk gjej arsye përse kryeministri i vendit tim të bëjë një publikim si ky poshtë në rrjetet e tij sociale…/Nga Blerti DELIJA/