Nji ngjarje me randësi ka entuziasmue bashkësinë shqiptaro-amerikane. Me 14 korrik 2018, mora nji mesazh nga kolegu im i vjetër, dr. Elez Biberaj, me të cilin më njoftonte formimin, nga familja e tij, të Fondacionit Biberaj “…për të mbështetur profesionistët shqiptarë”.
Dr. Biberaj vjen nga nji familje e persekutueme nga regjimi kriminel komunist.
Niman Kadri Biberaj, xhaxhai i tij, u arrestue, torturue dhe dënue me burgim për “agjitacion dhe propagandë”. Meqë nuk kishte vend për të dënuemët në burgjet e Kukësit, ai dhe rreth 60 të dënuemë politikisht nga Tropoja, u trasferuen në burgun politik të Shkodrës (1947). Shumica e tyne u dënuen si bashkëluftëtarë të grupit antifashist të kryesuem nga dëshmori i lirisë Ramë Muja, i Tropojës.
Rastisi që Nimani të vendoset në dhomën nr.9 , ku isha i mbyllun edhe unë. U miqsuem shpejt. I shkathët, i vrullshëm, i pafjalë, ai ziente përbrenda nga nji ndjenjë që e mundonte shumë. “Burgu,-më tha nji ditë,- nuk ashte për mue. Mali, po!”. Unë buzëqesha, por e kuptova mirë. Në prill 1949, u ba nji falje e pjesshme me ulje dënimesh për nji grup katundarësh që besohej se ishin “të parrezikshëm për shoqërinë”. Në mes tyne, edhe miku im i ri. Sot, më kujtohet fjala e ndamjes: “Jaran,- më tha,-nëse arrestohem përsëri i gjallë, e meritoj burgun… Veç due pak kohë, me shkue në shtëpi, me marrë pushkën e me dalë në mal….. Unë, i gjallë nuk kapem kurrë!”.
E ndigjova me habitje këtë rrëfim të guximshëm. Por, në fytyrën e Nimanit shihej qartë ndriçimi e nji zjarri të brendshëm që priste vetëm momentin me shpërthye. I lirë nga burgu, ai kreu nji akt ndershmënie që nuk e harroj; shkoi drejt në shtëpinë time me falënderue nanën që gjatë qëndrimit të tij në burg, pastronte rrobet tona nji herë në muej. Familjet tropojane ishin larg e të burgosunit tropojanë kanë vuejtë shumë, jashtë çdo mase. Disa prej tyne kanë vdekë, literalisht, nga uria. Më kujtohen dy vëllaznit Uka. U shuen fare, ngadalë-ngadalë. Sepse, deri në vitin 1951, në burgun e Shkodrës , jepej vetëm racioni 600 gramësh i bukës dhe uji…..!
Pak ditë ma vonë, erdhi lajmi se familja Biberaj, në nji karvan të drejtuem e të mbrojtun nga vëllaznit Niman e Hysen Biberaj, ishte arratisë në Jugosllavi- burra, gra e fëmijë, bashkë me bagëti. Mbas disa viteve, ata emigruen në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968). Për 50 vjet të gjata, ata punuen, u arsimuen, e arritën sot me formue nji fondacion bamirës. Në këtë vend që ofron mundësi të mëdha, erdhi edhe suksesi e përparimi. Breznia e re e familjes Biberaj u rrit, u edukue dhe korri suksese të mëdha akademike dhe ekonomike.
Tradita fisnike atdhetare e kësaj familjeje vazhdon! Ajo rrjedh nga patrioti Haxhi Zekë Biberaj i Pejës, (udhëheqës i dy kryengritjeve të viteve 1883 dhe 1896 kundër turqve në Kosovë, dhe i njohun në historinë e Shqipërisë si “atdhetar kosovar” dhe “udhëheqës i lëvizjes kombëtare në Kosovë)”. Sot, kjo familje vendosi të kontribuojë për vëllaznit e motrat shqiptare të hapësinës shqiptare në Ballkan, tue themelue nji fondacion dhe bashkëfinancim (me nji fond fillestar prej 2.5 milionë dollarë) për programin e nivelit master -“për të mbështetur profesionistët shqiptarë”. Urime të përzemërta dhe sukses të plotë!
Financime për studime kemi edhe fondin e Federatës VATRA (edhe unë kam marrë nji ndihmë financiare), fond që vazhdon edhe sot. Kemi pas edhe Fondacionin Peter Kole, nga Cleveland OH., por i kufizuem për studentë nga qyteti i lindjes, Pogradeci. Fondacioni Biberaj ashtë plotësisht modern dhe gjithëpërfshirës.
*******
Gjesti i familjes Biberaj ka randësi të veçantë, sepse asht hap i madh i këtyne viteve të fundit në rrugën e duhun: fillimin e nji tradite bashkëkohore të kontributit vullnetar e qytetar për avancimin e arsimit, kulturës, artit e muzikës, biznesit dhe administrimit të tregtisë; asht fjala për ndihmë kur krahu i qeverisë nuk arrin.
Fjala “Fondacion” (Foundation) teknikisht do të thotë themelimi i nji institucioni me përcaktime të sakta për mbajtjen dhe forcimin e tij. Në esencë, asht nji “dhuratë”, që bahet për këtë qëllim, me mbrojtë ose avancue qëllimet e nji institucioni që synon të përjetësohet. Pikësynimi i institucionit të ri ashtë interesi publik ose domosdoshmëria shoqënore.
Në vitin 2016, Fondacioni ShqiptaroAmerikan për Zhvillimin (AADF) u themelue me qëllim “…për t’u dhënë profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhëheqësve të ardhshëm nji mundësi të veçantë për të ndjekur studimet për nivelin master, si dhe për të kryer praktika profesionale në fushat e Menaxhimit dhe Administrimit të Biznesit, Trashëgimisë Kulturore, Eko-Turizmit dhe Mikpritjes, Arsimit, Teknologjisë Informative, Shkencave Kompjuterike, Politikave Publike dhe Administratës Publike”, shpjegon komunikata e lëshueme nga Fondacioni Biberaj.
Më 14 korrik 2018, ky fondacion shpalli Projektin e tij të parë, i cili konsiston në bashkëfinancimin e Programit të Studimeve të Nivelit Master dhe Internship (MIP).. Z. Ken Biberaj, zadhanës i Fondacionit, shton: “Familja Biberaj ndihet e nderuar për të bashkëfinancuar me nji donacion prej 2.5 milionë dollarësh…që u drejtohet profesionistëve të rinj shqiptarë, që synojnë të përparojnë duke studiuar në Shtetet e Bashkuara”. Ai shton: “Ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për suksesin që kemi arritur dhe ndihemi krenarë për trashëgiminë tonë shqiptare.
Shpresojmë që ky program do të ndihmojë brezin e ri të studentëve shqiptarë drejt arritjes së suksesit të tyre akademik, duke përmbushur angazhimin, për të ndihmuar më pas në shkëmbim shoqëninë e tyre shqiptare”. Në komunikatën e Fondacionit theksohet mbështetja “…e mundësive për të ndjekur studimet e larta të studentëve shqiptarë nga Ballkani në institucionet amerikane. Pas studimeve, përfituesit e ndihmës financiare duhet të kthehen në vendin e tyre…”.
Për aspektin teknik të kësaj ndërmarrjeje pozitive, Këshilli Amerikan për Arsimin Ndërkombëtar (American Council for International Education) do të ndihmojë studentët për vendosjen e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe do të ndjekë përparimin e tyre akademik”, nji tregues i seriozitetit të punës së fondacionit. (Për informata të plota kërkoni në : http:/ /mip:aadf.org)
*******
Fondacioni shqiptaro-amerikan themelohet me rastin e 50-vjetorit të emigrimit të familjes Biberaj në Shtetet e Bashkueme të Amerikës (1968-2018). Mbas largimit të detyruem nga shtypja qeveritare dhe për t’i shpëtue persekutimit komunist në Shqipëri, ardhja e tyne në Amerikë ashtë nji shembull i ndritun dhe dëshmi e gjallë e plotësimit të “Ëndrrës amerikane” (the American Dream), mishërimi i thanies “Amerika të ofron oportunitetin me u zhvillue plotësisht (self-realization)”. Me punë, studim e ndeshmëni, si qytetarë koshientë të shoqënisë amerikane, individualisht dhe bashkërisht, anëtarët e familjes Biberaj zotënojnë sot bizneset e tyne dhe kanë ndjekë karriera të ndryshme që nga arsimi, teknologjia, drejtësia, shërbimi publik, financat, tregtia, pasunia e patundshme (real estate), filantropia, arti dhe aktivizimi në jetën politike të këtij vendi. Z. Hasan Biberaj asht nji sukses i jashtëzakonshëm financiar dhe pronar i restaurantit të privilegjuam të New York-utm, “Russian Tea Room”. Dr. Elez Biberaj, autor, asht sot nji figurë qendrore e grupit të intelektualëve shqiptaroamerikanë. Z. Ken Biberaj, aktivist i Partisë Demokratike Amerikane, asht nji yll në ngritje dhe shpresa jonë se ai do të jetë kongresisti i parë i bashkësisë sonë në Amerikë. Të gjithë djemtë dhe vajzat e familjes Biberaj janë shembuj të admirueshëm për të gjithë!
Tetë fëmijët e familjes Biberaj kanë krye studimet e tyne universitare në institucione prestigjioze të Amerikës. Ata besojnë në nevojën me mbështetë shoqëninë e tyne si nji cilësi qytetare e nivelit të naltë dhe dëshirojnë që arsimi i naltë që u ashtë dhanë atyne nga prindët, të vazhdojë edhe te të tjerët.
Dr. Elez Biberaj rrëfehej pak ditë ma parë: “Ne mbetemi shumë të lidhun dhe jemi mirënjohës të prindërve tanë që na pasunuen me besimin e thellë në avantazhet e arsimit, punës së pandërpreme, dhe mbështetjen e kontributet për bashkësinë tonë shqiptare”.
Njiqind vjet ma parë, Imzot F.S.Noli shkruente vjershën e tij lapidare: “Jepni për Nenën!”. Formimi i Fondacionit Biberaj ashtë përgjigjja jonë ma e mirë. Urojmë që kjo frymë e naltë humanitare të përhapet dhe të përjetësohet te breznitë e reja shqiptaro-amerikane. /Nga Sami REPISHTI/