Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për gjyqtarin e Shkodrës Andi Ymeri, i cili në 17 janar 2021 vendosi të lirojë nga qelia Arben Bregun, duke mos i caktuar asnjë masë tjetër sigurimi, edhe pse ndaj tij kishte një vendim të mëparshëm, ekstradimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas publikimit të lajmit të lirimit nga qelia të Bregut, ai është riarrestuar sërish nga forcat e policisë Shkodër, dhe se pak ditë më parë gjykata e Shkallës së Parë, caktoi masën e “arrestit në shtëpi”, duke urdhëruar që Bregu të survejohet 24 orë nga punonjës të policisë, me qëllim shmangien një arratie të mundshme të tij.
Argumenti i përdorur nga gjyqtari mësohet se ka qenë pikërisht afati kohor.
“Ministria e Drejtësisë, duhet të kishte disponuar me vendim për ekstradimin, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit të 23 shtatorit 2020, që miratonte lejimin e ekstradimit të personit të kërkuar nga SHBA, Arben alias Arbin Bregu…”.
Me këtë argumentim gjyqtari i Shkodrës, Andi Ymeri, vendosi të lirojë për ditë të dielë në 17 janar 2021, personin e kërkuar nga drejtësia amerikane, i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë. “Ora News”, ka siguruar vendimin e gjykatës që mundësoi lirimin e Bregut, ku gjyqtari Ymeri, ka argumentuar se afati 30 ditor për ekstradimin e të arrestuarit në SHBA,ka mbaruar qysh prej datës 7 dhjetor 2020.
Brenda kësaj date, Arben Bregu, duhet të ishte ekstraduar në SHBA, por ai ka vijuar të mbahet në qelitë e burgut të Reçit, duke mos marrë një vendim ekstradimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Kjo për shkak se edhe situata e shërbimeve për shkak të pandemisë në SHBA, ishte pezulluar, si pasojë e pandemisë COVID-19. /OraNews/