Drejtoria Qendrore e ALUIZNI-t publikoi dje emrat e 205 qytetarëve që kanë gati lejet e legalizimit në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës. Pas ndryshimeve të fundit ligjore, qytetari do të marrë një kopje për të vërtetuar mbarimin e procesit të legalizimit, por e gjithë procedura vijuese për regjistrimin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të bëhet nga Agjencia.
Ndërkohë që sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i sipërfaqes së bazës së ndërtimit dhe për ndërtimet pa leje me funksion banimi jo më shumë se 500 m². Sipërfaqet mbi masat e përcaktuara në këtë pikë, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, vetëm nëse ka shprehur më parë vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.