Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi dje subjektet e para politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Të parët që u regjistruan ishte partia e Myslym Murrizit, e Jozefina Topallit, dhe 7 parti të tjera.
Ajo që u komentua dje ishte regjistrimi i PDIU-së së Shpëtim Idrizit. Duke qenë se ky i fundit është në negociata me kryedemokratin Basha për marrëveshjen e koalicionit, kjo u konceptua si një krisje e opozitës së bashkuar.
Por gazeta “Panorama” ka kontaktuar me kreun e PDIU-së, i cili sqaroi se regjistrimi nuk ka asnjë lidhje me koalicionin apo me listën finale.
Sipas Idrizit, regjistrimi i subjekteve politike që do marrin pjesë në zgjedhje është një detyrim i Kodit të ri Zgjedhor. Ndërkohë, sa i përket koalicionit, ai tha se deri më datën 24 shkurt do të dërgohet marrëveshja e koalicionit. Sakaq, mësohet se ditën e djeshme ka dërguar kërkesën për t’u regjistruar edhe PDK-ja e Nard Ndokës.
Ky i fundit e ka arritur marrëveshjen me demokratët dhe do të jetë pjesë e koalicionit të djathtë dhe pjesë e listës së Shkodrës. Kodi i ri Zgjedhor parashikon që 70 ditë para zgjedhjeve, subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhje duhet të regjistrohen në KQZ. Në rastin konkret të gjitha partitë që do të jenë pjesë e garës së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit do duhet të regjistrohen deri më datë 14 shkurt. Deri më këtë datë duhet të regjistrohen të gjitha partitë, edhe në qoftë se do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni.
Afati i fundit për të regjistruar koalicionet për zgjedhjet e 25 prillit është data 24 shkurt. Koalicioni do të përmbajë logon e partisë kryesore ose palët duhet të bien dakord për një logo të përbashkët. Çdo parti e regjistruar deri më datën 14 shkurt do duhet të dorëzojë në KQZ deri më datën 24 të këtij muaji marrëveshjen e koalicionit.
Ndërkohë 50 ditë para zgjedhjeve subjektet politike apo koalicionet duhet të dorëzojnë listën me kandidatët. Në rastin konkret partitë apo koalicionet duhet të dorëzojnë në KQZ listën me kandidatë deri më datë 6 mars. Në rastin e PD-së, që në listën e saj do të ketë edhe kandidatë të partive në koalicion, regjistrimi i tyre do të bëhet me emër mbiemër dhe se cilës parti i përket në koalicion.
Ndonëse në fletën e votimit, sipas burimeve, në çdo rast nuk do të shfaqet logoja e partive të koalicionit, por vetëm e partisë kryesore. Ndërkohë, më datë 26- 27 mars nis zyrtarisht fushata zgjedhore dhe ku nis edhe monitorimi i çdo subjekti zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të ketë disa risi për shkak të ndryshimit të Kodit Zgjedhor me konsensus në fillim dhe më pas pa dakordësinë e opozitës politike. Risia e parë është se formula e koalicioneve nuk do të jetë siç ka ekzistuar që nga viti ‘92. Partitë e një koalicioni duhet të kenë vetëm një listë të përbashkët. Risia tjetër është se këtë herë fleta e votimit do të ketë edhe emrin e kandidatëve.
Qytetarët do të mund të votojnë partinë dhe kandidatin e tyre të preferuar të qarkut. Por megjithatë renditja do të bëhet nga subjekti politik dhe shpërndarja e mandatit do të bëhet sipas renditjes që ka bërë partia dhe kandidati që është poshtë vijës fituese duhet të marrë të paktën 10.001 vota në mënyrë që të kalojë renditjen e partisë.
Ndërkohë, për herë të parë në këto zgjedhje do të ketë edhe identifikim elektronik të zgjedhësve. Qytetarët do të firmosin fletën e tyre të votimit përmes shenjave të gishtave. Kjo është konsideruar si një garanci e shtuar për të shmangur votimin në emër të një personi tjetër dhe të shumëfishte.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, miratoi javën që shkoi shpërndarjen e fondit për partitë politike që siguruan vende në Parlament në zgjedhjet e 2017-ës.
Shpërndarja e fondeve të përvitshme bëhet duke llogaritur numrin e deputetëve që ka siguruar çdo parti në zgjedhjet pararendëse.
Duke qenë se ishte partia që fitoi më shumë mandate deputetësh në zgjedhjet e 2017-ës, Partia Socialiste mori edhe pjesën më të madhe të parave të buxhetit. Rreth 63 milionë lekë rinj.
E dyta që mori pjesën më të madhe të buxhetit ishte Partia Demokratike, e cila shtoi në arkën e partisë 38 milionë lekë.
Një pjesë të konsiderueshme mori edhe LSI-ja, e cila shtoi në arkën e saj 20 milionë lekë. PDIU-ja mori 7 mln lekë, Lista e Barabartë 4 mln dhe PSD 5 mln lekë. /Nga Mariglen KUME, PanoramA/