Nga Blerti DELIJA
Në fillim të viteve ’90 në Itali ishte një gjykatës, i cili më pas u fut në politikë por pa shumë sukses. Antonio Di Pietro, gjykatësi që praktikisht rrëzoi një republikë që për 50 vite bashkëpunoi fshehtas por edhe haptas me mafian. “Mani pulite” (Duar të pastra) shkaktoi termet duke rrënuar të gjithë kastën e vjetër politike, sidomos DC- PS- PCI që për 5 dekada qeverisën Italinë.
Sot në Shqipëri, e më specifikisht në Lezhë, nisi një “superaksion” kundër një bashkie dhe një qarku. A më i madhi, as më i pasuri i vendit. Natyrisht apo rastësisht, Bashkia e drejtuar nga njëpërfaqësues i PD-së në opozitë. Si për të hequr çdo dyshim për prapavijë politike, është arrestuar edhe kryetari i Këshillit të Qarkut, përfaqësues i PS-së dhe i afërm i një figure të fortë politike në zonë.
Në thelb të çështjes është tjetërsimi i pronës në zonat turistike. I asaj prone që i ka mbijetuar masakrës përmes ligjit famëkeq 7501, nën shembullin e reformës agrare komuniste “toka i takon atij që e punon”. Fenomeni është kaq gjërësisht i përhapur në vend, sa nuk do të mjaftonin burgjet për të mbyllur të gjithë tjetërsuesit, falsifikuesit, mashtruesit, dëshmitarët e rremë etj.
Por “lotaria” i ra Lezhës. Do të jetë e para, por jo e fundit. Sipas gjasave, nga veriu në drejtim të jugut, rradha është e Velipojës. Ndoshta edhe e Shirokës, edhe pse ketu nuk ka shumë interesa të ndërthurura. Nuk përbën sekret se shumë prona në Velipojë, në vite, kanë kaluar dorë më dorë. Me pusulla bakalli, në kuptimin e plotë të fjalës. Si për rastësi, përsëri është veriu. Nuk është çudi që në pranga në Shkodër të bjerë ndonjë ish- kryetar komune, ndonjë ish- drejtor Hipoteke sepse shembullin e kemi në Lezhë.
Drejtësia është apo më saktë, duhet të jetë e verbër. Por edhe në këtë rast, duket se është selektive. Vetem disa javë më parë, nga Lezha ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj paralajmëroi atë që nisi sot. E përmendi specifikisht, “duke nisur nga Lezha”. Disa ditë pas kësaj interviste, në rrjete mediatike e gazetarësh doli informacioni (i pakonfirmuar) se një ish- drejtues Hipoteke në Shkodër, më herët edhe pushtetar lokal i zgjedhur, është arrestuar. Informacioni nuk arriti të shohë publikimin mediatik sepse ai që e hodhi, e tërhoqi shpejt. Mbase për të testuar, për të provokuar…
E sot, Lezha u ngrys pa kryetar e nënkryetar bashkie, pa kryetar Qarku dhe me gjysmen e administratës së rëndësishme vendore e rajonale në burg ose në kërkim policor. Për vetë çështjen në hetim, nuk ka shumë informacione. Por ajo që bën përshtypje është akuza për për kryebashkiakun e Lezhës: Përshpejtoi tjetërsimin e pronës?! Nuk jam jurist, por unë e kuptoj kështu: Ka firmosur pa shumë zvarritje dokumentat që i kanë ardhur nga institucionet e tjera apo edhe vetë stafi i tij i besuar brenda Bashkisë së Lezhës. Po, a nuk ishte vetë kryeministri Rama që u bëri më shumë se një herë thirrje zyrtarëve të mos zvarrisin qytetarët lidhur me pronat?! Rrezikonte të arratisej Fran Frroku që duhej të arrestohej me bujë?! Çfarë prove mund të prishte ai nëse do hetohej i lirë apo në arrest shtëpie?!
Ironi e fatit, por edhe këtë aksionin e “bujshëm” nuk e ndërmori drejtësia “e re”! Prokurorja Arta Marku është në detyrë përkohësisht, derisa të vendosen në punë organet e drejtësisë së re. Por si për koencidence, pikërisht drejtësia e vjetër po vepron, me shumë forcë e me shumë bujë. Por përsëri nuk janë “peshq të mëdhenj”, edhe pse janari iku e maksi kapërceu gjysmën e tij. Përsëri si për koencidencë, Marku veproi vetëm pak javë pasi ministri Xhafaj e “dekonspiroi” pikërisht nga Lezha dhe pasi u fol për arrestime “të bujshme” në Shkodër.
Nuk besoj se ka dyshime, brenda 48 orëve të paktën ata që janë të zgjedhur vendor, do të lirohen nga burgu. Nuk është rasti i parë, as i fundit. Me këtë mënyrë spektakolare u arrestua edhe ish- guvernatori Adrian Fullani. U akuzua për 8 milion dollarë abuzime dhe në fund, përveç se u shpall i pafajshëm, i “shplau” shtetit (dmth shqiptarëve) edhe disa qindra milione lekë rrogë duke qëndruar në shtëpi! Në formën e pagave të munguara që mund ti merrte por duke bërë një farë pune si guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Mirëpo, në rastin e Lezhës jemi në terren tjetër, politik dhe vetem rreth 1 vit larg zgjedhjeve vendore. Edhe më naivi, e sheh me syzet e një sulmi politik. Sepse akuza më të rënda duken në horizont për kryebashkiakë të tjerë, psh të Elbasanit, Durrësit etj. Aq më shumë po të llogarisësh mënyrën jokonsensuale të zgjedhjet së prokurores Marku, deklarimet e ministrit Xhafaj dhe trysninë e poltikës në pushtet për arrestime “me afate”.
Duke ju kthyer rreshtave të parë të këtij shkrimi. Di Pietro tentoi të hyjë në politikë dhe si shumica e atyre që largoi në fillim të viteve ’90, “u bë pis”. Por Di Pietro në 1990 ishte vetëm njëri nga ata. Falcone dhe Borsellino, më heret Dalla Chiesa e para tyre mijëra të tjerë, “shtruan rrugën” që Italia të luftonte seriozisht mafian, krimin. Dhe iu deshën më shumë se 50 vite që shteti të niste fitoret e verteta. Por nuk më kujtohet asnjë “franfrrokaj” italian që sot kujtohet si “viktimë” e famshme e luftës së shtetit ndaj mafias e krimit.
Morali: Pa u spastruar klasa politike gati 30 vjeçare në pushtet, çdo tentativë për drejtësi të drejtë, të paanshme dhe të pavarur, është e kotë.