Reagon Kukësi. Verilindorët fituan një ndeshje shumë të vështirë ndaj Skënderbeut duke marrë tre pikë të arta që mbajtën gjallë shpresat e tyre në garën për titull.
Pas humbjes ndaj Dinamos skuadra e Diego Longos mori tre pikët e para për vitin e ri pasi mposhti minimalisht 1-0 Skënderbeun në një ndeshje të cilin e vendosi i rikthyeri i madh i verilindorëve Vasil Shkurtaj që realizoi që në prekjen e parë të topit, duke zgjidhur një ndeshje delikate të cilën Kukësi e luajti për më shumë se 55 minuta me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të portierit Tafas.
Nëse shtylla i tha jo golit të kapitenit Gjelbërim Taipi në pjesën e parë, në të dytën 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, realizoi Vasil Shkurtaj për t’i dhënë 3 pikë Kukësit që e ngjitën në vendin e dytë me 31 pikë po aq sa Laçi dhe 3 më pak se Tirana që luan nesër ndaj Dinamos.
Verilindorët konfirmohen kështu si pretendentë për titullin kampion falë edhe një afrimi shumë të rëndësishëm në janar, siç është autori i golit Vasil Shkurtaj.