Sot në raundin e dytë të bisedimeve, Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve. Lajmi u bë i ditur nga këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak, i cili tha se bisedimet me Rusinë nuk kishin dhënë rezultatet që Kievi shpresonte.
Podolyak tha gjithashtu se të dyja palët parashikuan një armëpushim të mundshëm të përkohshëm për të lejuar evakuimin e civilëve.
“Kjo do të thotë, jo kudo, por vetëm në ato vende ku do të vendosen vetë korridoret humanitare, do të jetë e mundur të pushohet lufta për aq kohë sa do të zgjasin evakuimet”, tha ai.
Po ashtu, keshilltari u shpreh se të dyja palët arritën një mirëkuptim edhe për dërgimin e barnave dhe ushqimeve në vendet ku po zhvilloheshin luftimet më të ashpra.
Nga palët ruse, negociatori kryesor i Rusisë dhe ish-ministri i kulturës Vladimir Medinsky tha: “Çështja kryesore për të cilën vendosëm sot ishte çështja e shpëtimit të njerëzve, civilëve, që ndodhen në zonën e përleshjeve ushtarake. Rusia u bën thirrje civilëve që gjenden në këtë situatë, nëse vazhdojnë veprimet ushtarake, të përdorin këto korridore humanitare.”