Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike për Ukrainën, pasi luftimet me forcat ruse janë duke vazhduar në të gjithë vendin.
Zelensky i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Boris Johnson. Johnson lavdëroi udhëheqjen e Zelenskyt derisa vendi i tij po lufton me forcat pushtuese ruse.
Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të bëjë gjithçka të mundur, për të siguruar që ndihma mbrojtëse nga Britania dhe aleatët e saj të arrijë në Ukrainë.
Dy udhëheqësit u pajtuan që të mbeten në kontakt të afërt. Gjatë natës së shkuar u dëgjuan disa shpërthime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe zonat përreth.
Ushtria ukrainase tha se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.
“Ne treguam se mund ta mbrojmë shtëpinë tonë nga mysafirët e paftuar”, tha komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, gjeneral kolonel Alexander Syrsky.