Luiz Ejlli është shndërruar në një brand që gjeneron para në çdo gjë që bën. Pas fitores në “Big Brother”, ai i është dedikuar muzikës, ku deri në fund të sezonit është totalisht i prenotuar.
Por krahas koncerteve të shumta që ka në vendin tonë, duke se lëvizjet e tij më të mëdha do të jenë në SHBA dhe nëpër Evropë. Këngëtari sapo është kthyer nga një tur që organizoi në disa vende të SHBA, ku duhet thënë kërkesat për të kanë qenë të shumta, ashtu si edhe pagesat.
Nëse në vendin tonë Luizi merrte deri në 10 mijë euro për një natë, pagesat në SHBA janë trefishuar për të. Kjo për faktin se veç performimit të këngëve të tij, fansat kanë pasur edhe mundësi që ta takojnë nga afër dhe të shpenzojnë pak kohë me të. Vetëm pak ditë më parë ai u rikthye nga SHBA, me shifrat e majme që kishte fituar e tashmë ka nisur një tjetër tur, këtë herë për shqiptarët e Anglisë.
Duket se edhe atje, pagesat do të jenë të njëjta. Kështu, politikat e menaxhimit të tij kanë ndryshuar, ku tashmë çdo lëvizje nga Shqipëria apo Kosova, do të kushtojë trefish më shumë për ta pasur Luizin të ftuar në netët “live”. Shifrat e majme që ai po fiton, duket se ka vendosur që ti investojë në Tiranë.
Bëhet me dije se fituesi i “Big Brother” ka nisur të investojë në blerjen e pronave të ndryshme. Pasi ka bërë të tijën, një shtëpi të re, në një nga zonat më luksoze të vendit tonë, burime pranë tij flasin se ai do të vijojë të blejë të tjera prona apo njësi biznesi, që do ti lëshojë me qira. Është kjo mënyra që ai së bashku me stafin e tij ka zgjedhur për të bërë biznes, teksa pasuria e tij vijon të shtohet.
Gjithçka duket se po shkon perfekt edhe në jetën private, pasi prej muajsh ai dhe Kiara po jetojnë një histori të bukur dashurie, tashmë edhe të zyrtarizuar. Megjithatë, ndoshta për shkak të impenjimeve, apo për shkak të rregullimeve në shtëpi, çifti ende nuk po bashkëjeton.
Një marrëdhënie që shpesh herë ka hasur edhe në probleme, duke aluduar për një ndarje, por çifti duket se e ka gjetur gjuhën e përbashkët dhe i është rikthyer lidhjes së tyre. Vetëm pak javë më parë, tensione u ndjenë mes tyre edhe publikisht. Dikush e pyeti Luizin se pse nuk ka shkuar në Turqi bashkë me partneren dhe ai i përgjigjet: “Ça Stambolli, ça dua unë aty”. Më pas, një tjetër ndjekës e ka pyetur nëse e ka marrë malli për Kiarën dhe Ejlli iu përgjigj shkurt “Boll”, tha ai.
Në këto kushte, të gjithë kanë parashikuar një sherr të mundshëm me Kiarën, e cila vijoi me angazhimin e saj në Turqi, teksa në Tiranë u zhvillua gjithë një zhurmë mediatike për takimin e partnerit të saj me ish partneren e tij. Por, tashmë të gjitha këto janë lënë pas dhe dyshja po shijon ditë të arta, mes parave dhe luksit që i shoqërojnë, si dhe dashurisë që po jetojnë në sytë e shqiptarëve.