Që nga arratisja e bujshme në 1987- ën bashkë ne Arvid Hoxhën në Greqi pas kthimit nga Finlanda për ndeshjen me Rovaniemin, Lulzim Bersheni e ka ndërtuar jetën e tij jashtë Shqipërisë. Një nga talentet e jashtëzakonshme dhe të fundit të Vllaznisë, me shpirt rebel por edhe i përkushtuar në sport, Bersheni vijoi sportin e tij të futbollit edhe në Greqi. Si futbollist por edhe trajner.
Ata që kanë qenë të vegjël para 1990- ës apo kanë lindur pas këtij viti, mbase nuk dinë shumë për Bershenin. Pjesa më e madhe mbase e njohin përmes historisë së arratisjes së bujshme bashkë me Arvid Hoxhën, portierin e Vllaznisë në 1987- ën. Por Bersheni i përket atij që mund të konsiderohet pa frikë brezi i artë i madh i Vllaznisë. Mjafton të shikoni foton e mëposhtme, për të kuptuar se pjesë e cilit ekip të Vllaznisë ishte Bersheni.
Sigurisht, Lulzim Bersheni nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet me Shqipërinë e sidomos Shkodrën. Pika e zij e dobët është Vllaznia, ngjyrat kuqeblu që i ka demonstruar dhe i demonstron gjithmonë sa herë që ka mundësi, në rrjete sociale e përtej. Lulzim Bersheni është më shkodran, më tifoz kuqeblu se shumica e atyre që përbetohen se janë të tillë.
LEXONI EDHE: Arratisja e futbollistëve të Vllaznisë Arvid Hoxha dhe Lulzim Bërsheni, dokumentet sekrete të Sigurimit të Shtetit
Gjysmën e dytë të shtatorit, Lulzim Bersheni ishte në Shqipëri. E shprehu përmes rrjeteve sociale, akoma pa u nisur, entuziazmin për këtë udhëtim të shkurtër, rreth 2 javor. I gëzohej takimit me familjarë, të afërm, ish- kolegë të fushës së blertë, drejtues dhe ish- drejtues të Vllaznisë, tifozë por edhe të njohur, ndoshta thjesht dhe vetëm përmes rrjeteve sociale. Sepse mbiemri Bersheni në fushën e blertë, nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë të forta.
Ndërsa në Shkodër e prisnin me vend të rezervuar në “Loro Boriçi” për ndeshjen e vajzave kuqeblu, Bersheni u ndal në Tiranë. U takua me shumë miq e dashamirë, të afërm por sigurisht edhe me Ermal Tahirin dhe Sulë Demollarin, për të përmendur dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Nuk munguan edhe fotot me në sfond stadiumin “Air Albania”, ku patjetër Bersheni do të rrëmbente brohoritje në kohën kur shkëlqente si futbollist.
Shkodra është nostalgjia e Lulzim Bershenit. Mjafton të bësh një vëzhgim në profilin e tij në Facebook dhe e kupton lehtë dhe menjëherë. Shkodra dhe Vllaznia e saj, krijuan dhe evidentuan talentin e rrallë që ky futbollist përcolli për aq pak e shkurt që luajti në fushat e blerta. E natyrisht, vizita në stadiumin “Loro Boriçi” por edhe “fushën e ulkurave” siç e shkruan Bersheni, janë pjesë e albumit të tij.
Lulzim Bershenin e mirëpresin edhe në Koplik sepse ai ka miq, të njohur por edhe kolegë kudo. Shumë edhe përmes rrjeteve sociale, që e njohin përmes fotove e videoive dhe jo vetëm për aventurën e tij të arratisjes në Greqi në vitin 1987. Madje edhe një fanelë e Vllaznisë së sotme, me numrin 11, shfaqet në një nga foto e tij.
Shëtit edhe në vende të bukura të Shkodrës, të cilat sigurisht i gjallin nostalgji. Takohet me të afërm, miq e kolegë. Shijon edhe gatimet e pijet tradicionale të Shkodrës së tij. I gëzohet si fëmijë këtij rikthimi dhe duket se është i lumtur që këtë kënaqësi të kësaj vizite, e bashkëndan edhe në rrjetet sociale, me ata që e njohin por edhe ata që nuk e njohin fizikisht.
Ishte vetëm 20 vjeç kur u largua nga Vllaznia për të shpalosur talentin e tij me ekipe të huaja. Sot, edhe pse 55 vjeç, ai të kujton rebelin, talentin, të riun, të dashuruarin e përjetshëm me Shkodrën, Vllazninë, futbollin, miqtë e kolegët e tij. E reflekton në çdo foto që ai poston, edhe pse nuk janë ndoshta foto shumë cilësore, siç do të meritonte ai.
Rreth 2 javë qëndroi në Shkodër Lulzim Bersheni. Nuk e pashë në asnjë intervistë në media edhe pse për hir të realitetit, nuk ka patur shumë qejf as ai të jetë në fokus të gazetarëve, kamerave. Megjithatë, meritonte vëmendje. Me një mënyrë apo tjetër, duhej gjetur mundësia. Jo vetëm kaq. Meritpnte vëmendje nga KF Vllaznia, të paktën një ceremoni të thjeshtë, dhuratë një fanelë të kuqebluve.
Sigurisht, mund ti kushtonte më shumë vëmendje edhe bashkia e Shkodrës, Prefektura apo Qarku. Pse jo, e meritonte një pritje edhe nga FSHF- ja e presidenti Duka. Ata që e kanë parë në fushën e blertë, janë të bindur se ai nuk ishte një futbollist i zakonshëm, ishte talent dhe ndër talentet e rralla që nuk mund ti vijnë edhe për shumë vite Shkodrës e Shqipërisë.
Këto rreshta, thjesht për të sjellë në vëmendje një vizitië, të cilën Lulzim Bersheni e shijoi në çdo moment të saj. Sigurisht, nuk do të jetë e fundit, ai do të vijë edhe herë të tjera në vendlindje. Por kjo e sivjetmja ishte një vizitë e paralajmëruar dhe të gjithë, e përsëris të gjithë, kishin mundësinë e kohën ti rezervonin një pritje të denjë për një nga yjet e fundit të futbollit, kur ai luhej me shpirt, me dashuri për sportin e tifozët, ndoshta edhe me kushtë të vështira ekonomike e të trajtimit ushqimor. /Nga Blerti DELIJA/