Klubi i Futbollit Valur në Islandë, po bën të gjitha përpjekjet që ndeshja e kthimit të mos zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Ata kanë sajuar edhe një incident, sipas tyre i shkaktuar nga tifozë të Vllaznisë, ndërsa realisht, klubi kuqeblu nuk ka patur në dispozicion asnjë biletë nga organizatori vendas i ndeshjes, Valur i Rejkjavikut.
Jo vetëm kaq. Në përfundim të ndeshjes, e cila u mbyll me rezultat në favor të Vllaznisë, nga ana e drejtuesve më të lartë të Valur, ka patur provokime edhe ndaj presidentit të Vllaznisë Alban Xhaferi. ShkodraWeb ka mësuar se Presidenti i Árni Pétur Jónsson, i është afruar presidentit kuqeblu, duke e goditur në pjesën e shpinës, duke i kërkuar që të marrë pas reagimin e Xhaferit. Ky i fundit, duke e ditur se është provokim, nuk ka patur asnjë reagim.
Ndërkohë, duket se Valur, pas barazimit në shtesën e shtesës me Vllazninë në ndeshjen e parë, e sheh veten të rrezikuar të eliminohet dhe po përpiqet me makinacione jashtë fushës së blertë të sigurojë avantazhe josportive në ndeshjen e dytë. Vllaznia ka rezultuar ekip shumë më i fortë se sa kishin menduar dhe kjo u pa nga të gjithë sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes në Islandë.
Nga ana tjetër, në temperaturat shumë të larta që priten në Shkodër edhe me 18 korrik pasdite, futbollistët e Valur e kanë shumë të vështirë të ambjentohen, duke patur parasysh se mund të arrijnë në 33 gradë celcius teksa në Islandë ndeshja u luajt në 12 gradë celcius. Këta janë faktorë që ndikojnë në qasjen e pakuptimtë të Valur në fund të ndeshjes por edhe në vijimësi.
Synimi i tyre është që ndeshja të mos luhet në Shqipëri, mundësisht në një vend tjetër, pse jo edhe më të ngjashëm me klimën e Isandës. Ndërsa Vllaznia ka bërë reagimet e saj, është mirë të reagojë edhe FSHF- ja dhe vetë presidenti Duka, i cili është edhe në pozicionin e rëndësishëm të zëvendëspresidentit të UEFA- s. Futbolli është lojë por duhet humbur ose fituar në fushën e blertë, jo me makinacione.