Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024! Me këngën “Zemrën n’dorë, Besa ka marrë besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion që do të mbahet në Malmo të Suedisë.
Teksa u ngjit në skenë për të marrë çmimin, e emocionuar Besa Kokëdhima falënderoi ekipin realizues të këngës e po ashtu edhe stafin realizuar të Festivalit të 62 të Këngës në RTSH.
Mal Retkoceri është fitues i çmimit të parë në Festivalin e 62 të këngës në RTSH me këngën “Çmendur”. Mes emocionesh ai u shpreh pas ngritjes së kupës së Festivalit se ndjehet shumë i vlerësuar nga çmimi.
Çmimi i dytë i Festivalit u fitua nga Tiri Gjoci me këngën “Në ëndërr”. Pas marrjes së çmimit Gjoci deklaroi se ndihej shumë i emocionuar.
Ndërsa këngëtari Shpat Deda fitoi çmimin e tretë me këngën “S’mund të fitoj pa ty”. Ai shprehu shumë falenderim për vlerësimin që i dha juria.
Fest 62, në përmbyllje të 4 netëve, ishte një spektakël me plot emocione, ku muzika, performancat, të ftuarit VIP, surprizat ishin kryefjala e tij.
Si rrallëherë, ky Festival u transmetua jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke dëshmuar edhe shtrirjen gjithnjë e më të madhe që po merr Festivali në mbarë trojet shqiptare.
Fest 62 ishte dëshmi e një pune të palodhur të krijuesve, këngëtarëve, drejtuesve artistik dhe organizativ, të cilët punuan me pasion, në mënyrë që Festivali të shënonte një hop cilësor, ku gërshetimi i muzikës shqiptare, të ndërthurej edhe me elementët modern në të cilat po ecën muzika sot. Ishte një sfidë që shënon edhe një kapitull të ri në zhvillimin e muzikës shqiptare në ballafaqimin e saj jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në skenat evropiane.