Telefonata e një qytetari ka parandaluar një ngjarje të mundshme rrugore me pasoja për jetën në Shkodër. Pas telefonatës nga qytetari, që raportoi se në rrugën Velipojë-Shkodër, një automjet tip “Ford” kryente parakalime të rrezikshme, shërbimet e Policisë Rrugore bënë të mundur ndalimin e mjetit tek vendi i quajtur “Harku i Berdices”.
Pas testimit për alkool, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. H. rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.62 mg/l dhe u arrestua në flagrancë.
Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 38 leje drejtimi, nga të cilat 25 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.