Nga Edmond TUPJA
Në fillim ishte fjala” – këtë fjali e gjeni në Bibël, kurse ajo çka do të lexoni tani në këtë rubrikë të përjavshme nuk ka të bëjë me krijimin e botës, por fillimisht me Marien, veçse jo për atë që sërish e gjeni në Bibël; e kam fjalën për Marien e Juanës, që e bleroi Shqipërinë anekënd aq sa ra poshtë pohimi se në këtë Shqipëri të veçantë marrëzisht demokratike po zhduken pyjet dhe se po zvogëlohen sipërfaqet e tjera të gjelbra.
Pra, pikërisht nga “drejtimi i duhur” erdhi Maria e Juanës me tymin trallisës dhe kundërmimin e saj kutërbues për t’u shndërruar në një tym e kundërmim shtetëror e kombëtar.
Ah, Maria, Maria e Juanës, e lumturove popullin shqiptar, ia ripërtërive ëndrrat për një jetë në (s)ekstazë duke i dhënë tonelata me shpresë jeshile për një “rilindje” në parajsën e premtuar e të praruar të një të ardhmeje, që do ta kishin pasur zili edhe rilindësit tanë të shekullit XIX.
Fjala e madhe e njërit prej atyre – “Lum kush të rronjë, ta shohë Zonjë!” po realizohet: falë Maries së Juanës, Shqipëria e sotme mund të quhet me plot gojën, hundën e mushkëritë, Republika Zonjë e Shqipërisë.
Mirëpo, për popullin e lumtur shqiptar tash e tutje vlen shprehja “kur vijnë të mirat, hapu derën”.
Këtë po bën me mish e me shpirt (pa harruar kockat), edhe qeveria e shtetit tonë, duke u përpjekur madhërisht për të hapur tërë dyert e vendit e për të sjellë midis nesh, falë engjëjve kolumbianë, Kok Kainin (mos e ngatërroni me kokën e Kainit, që, sipas Biblës, vrau Abelin, të vëllanë): me bekimin e shën Maries së Juanës, ky, pra Kok Kaini, që tani për tani peshon diçka më tepër se 613 kile, do të bëjë çmos, me një dhuratë prej 180 milionë eurosh, t’ia rrisë mirëqenien popullit tonë, duke e kthyer vendin e shqiponjave në një kopsht të lulëzuar ku, për herë të parë në historinë e njerëzimit dhe ndryshe nga ç’ndodhi me Adamin e Evën (që nuk iu bindën Zotit), Adamët (ose Ademët) modernë bashkë me Evat (ose Havatë) po aq moderne, me kombësi e shtetësi vetëm shqiptare, do të jetojnë më mirë se në parajsën zanafillore të parashikuar nga Shkrimet e Shenjta të shumë feve!
Me sa duket, gjithçka qenka e shkruar: populli shqiptar duhet ta kuptojë një herë e mirë se e ka për detyrë e për nder t’i bindet verbërisht e katërçipërisht qeverisë që e drejton me madhështi, pavarësisht lehjeve të opozitës e të disa kokëkrisurve të papërgjegjshëm e perversë, që duan ta zhveshin lakuriq të vërtetën e hidhur edhe pse është dimër dhe se qeveria, me ndihmën bujare të shën Marisë së Juanës dhe të Kok Kainit, bën çmos që ta veshë sa më trashë të vërtetën e gjorë, sepse ajo, qeveria, i do të mirën popullit tonë të urtë, madje, edhe më të mirën, prandaj ky ka votuar masivisht për ardhjen e Partisë Socialiste dy herë rresht në fuqi!
Dy herë! Dy mandate! Dy, numri dy! Dy janë pikërisht edhe shenjtorët që po e shpëtojnë Shqipërinë, shën Maria e Juanës dhe shën Kok Kaini! Mirëpo, populli ynë ka një proverb: “E treta e vërteta!”, pra, nëse dimë e duam vërtet t’i lexojmë shenjat, sidomos kur ato janë të qarta, do të vijë pashmangësisht edhe një shenjtor apo shenjtore tjetër në mënyrë që Shqipëria të bëhet vendi më i begatë, më i bukur, më i lumtur në botë, që shqiptaret e shqiptarët të jetojnë si princesha e si princa, të cilat e cilët do t’i kenë zili gjithë sheikët, oligarkët e miliarderët e tjerë të rruzullit tokësor, sidomos ditën botërisht të dobishme kur ajo, Shqipëria, do të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, çka do të kurorëzohet marijuanisht e kokainisht me zgjedhjen triumfale të kreut të qeverisë së saj në postin e lartë e të lakmueshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila do të transferohet me seli në kryeqytetin shqiptar, ku do të përjetësohet deri ditën (sa më e largët qoftë ajo!) kur planeti Tokë do të pushojë së ekzistuari!