Diferencat arsimore dhe profesionale duket se kanë qenë shkak i mosmarrëveshjeve të shumta mes dy ish-bashkëshortëve, Fildes Hafizi e Fadil Kasemi.
Të martuar me mblesëri 17 vjet më parë, kur Fildesi sapo kishte mbaruar Pedagogjiken në Shkodër, çifti për afro 15 vjet jetuan bashkë në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Ajo ishte me arsim të lartë, drejtoreshë në një kopsht, ndërsa ai me të mesme, tregtar në “Tregun çam”.
U bënë prindër të dy fëmijëve, një djali 14 vjeç dhe një vajze 16 vjeçe, që sivjet futet në shkollën e mesme. Mikesha të afërta të Fildesit tregojnë peripecitë që ajo ka kaluar, kryesisht vitet e fundit, pasi nisi të ngjiste shkallët e karrierës, duke filluar një fakultet të dytë, ku u diplomua juriste.
Ky duket se ka qenë një problem për ish-bashkëshortin e saj, të mësuar me idenë se në kopshtin ku ajo ishte drejtoreshë do ta kishte nën kontroll, ndërsa si gjyqtare do të ishte më lart se ai. Vite më parë ajo iu bind “urdhrit” të tij, duke refuzuar propozimin për inspektore në Drejtorinë e Arsimit.
Por më pas vendosi që të realizonte ëndrrën e saj për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Ndonëse ishin në gjendje shumë të mirë financiare, pasi i shoqi ishte pronar i një dyqani të madh te “Tregu çam”, ajo studimet për Drejtësi i vazhdoi me bursë, të cilën e fitoi falë rezultateve të shkëlqyera.
Madje, fitoi edhe Magjistraturën, duke u bërë gjyqtare e, nga ana tjetër, ishte edhe pedagoge në universitetin privat ku ajo u diplomua juriste. /panorama/