Edhe pse ka një rënie të lehtë të rasteve të të infektuarve, problematikë vijon të mbetet ende transmetueshmëria e lartë e COVID-19 dhe rritja e infektimeve te moshat e reja 25-34 vjeç. Për këtë Komiteti Teknik i Ekspertëve për COVID-19 theksoi se masat anticovid do të vijojnë të jenë në fuqi, ku ora policore prej 22:00 do të qëndrojë ende për një periudhë të pacaktuar, ndërsa mësimi në universitete do të vijojë të zhvillohet online edhe për të paktën 2 javë të tjera.
Pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe për shkak të shfaqjes së variantit të ri të koronavirusit, Komiteti i Ekspertëve tha se ato do të jenë të ndaluara deri më 18 janar.
“Mendohet se kjo situatë e qëndrueshme është pasojë e masave të 2 javë të fundit, të vazhdojnë në fuqi ora policore pas orës 22:00, universiteti edhe 2 javë online dhe po kështu fluturimet me Britaninë e Madhe të mbeten të pezulluara deri në datën 18 janar”, tha drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Rakacolli.
Ndërsa drejtoresha e ISHP-së , Albana Fico bëri me dije se për periudhën 2 javore nga 23 dhjetori deri më 5 janar mosha mesatare e të infektuarve është 48.7 vjeç dhe më e prekur është grupmosha 55-64 vjeç. Gjithashtu qarku me numrin më të lartë të rasteve pozitive në këtë periudhë ishte Gjirokastra dhe ndiqej nga Tirana e Lezha.