Deputetja e Qarkut Shkodër Greta Bardeli ka thyer heshtjen lidhur me situatën e krijuar në Partinë Demokratike dhe për herë të parë ka dhënë një qëndrim të saj publik në një intervistë me gazetaren Emi Kalaja.
Deputetes Bardeli iu kërkua nga gazetarja një qëndrim personal lidhur me situatën pas humbjes së PD në zgjedhjet e 6 Marsit, qëndrimin e saj përballë Lulzim Bashës dhe si e sheh të ardhmen e Partisë Demokratike.
Më poshtë intervista e plotë:
Pyetja: Zonja deputete, para 6 Marsit dhe veçanërisht pas tij ka qenë një periudhë e nxehtë politike dhe pas humbjes së PD deputetët kanë mbajtur qëndrime personale lidhur me situatën. Pse zgjodhi heshtjen Greta Bardeli?
Mendoj që situata e PD, ndarja, gjuha e përdorur ndaj njeri- tjetrit, përplasja e paprecedent, kanë krijuar plagën më të rendë në historinë e forcës tonë politike. Besoj shumë te bashkimi dhe te leximi i votës. Nëse nuk kam folur për të mos shtuar zë në gjithë skenën e dominuar nga vokacione të lartë a më pak të lartë publik ose jo, e kam bërë në respekt të antarësisë së PD, të grave e burrave të Shkodrës me të cilët kemi ndarë hallet, problemet e sfidat ndër vite. Në politikë përveç pragmatizmit duhet të dominojë respekti për njerëzit e thjeshtë që të shohin me syrin e përfaqësimit të tyre. Nuk e kam ndalur asnjë moment komunikimin me ta, pra me bazën, i kam dëgjuar me durim. Kjo ka qenë zgjedhja ime. Në parlament kam ngritur zërin për çeshtje që i shqetësojnë komunitetet tona, problemet sociale, mungesën e investimeve nga qeveria për infrastrukturën kombëtare që lidh Shkodrën me Lezhën e më tej Tiranën, dramën e rrugës së harruar të malësisë së Dukagjinit, emigracionin e të rinjve, papunësinë e kapjen e institucioneve nga zyrtarë të lidhur me krimin, varfërinë e zonës më të bukur të Shqipërisë. Në këtë mision kam besuar çdo minutë, orë e ditë te një projekt i bashkimit të PD. Askush nuk është i tepërt. PD ka nevojë për të gjithë.
Pyetja: Deputetët e qarkut Shkodër, kanë kërkuar reflektim madje dhe doreheqje të zotit Basha pas rezultatit humbës të 6 Marsit, ju nuk keni qenë e pranishme në mbledhjen e parë, ndërsa publikisht nuk keni patur qëndrim ndaj tij?
Më lart ju shpreha qëndrimin tim që vota duhet lexuar për këdo që ka një pozicion në PD. Shpërbërja e funksioneve drejtuese, largimi njeri pas tjetrit, janë mesazhe të qarta që vota e ka dhënë mesazhin. Mendoj që sot nuk ka më rendesi çfarë i thua zotit Basha, apo çfarë pret nga ai. Sot nuk kanë rendësi as pozicioni i njërit apo tjetrit, në atë çfarë bënë ata dje, në 2017, në vendimin për largimin nga parlamenti, për bojkotin e zgjedhjeve vendore të 2019, por dhe në bojkotin e ndarjes territoriale para 2015 etj., etj. Çdo hap i pamatur ka kontribut në plagën e madhe të hapur në PD dhe në opozitë. Për këto nuk është pyetur antarësia absolutisht. Sot këto nuk kanë vlerë të ndalemi sepse koha nuk pret. PD nuk ka sot dy rrugë por veç një që të shpetojë. Bashkimi i saj nga baza në qendër me një projekt kombëtar. Nëse ne kuptojmë se çfarë presin qytetarët nga ne dhe mos humbim asnjë minutë, atëherë mund të fitojmë. Nuk kemi pse ti japim kënaqësinë një kundershtari politik si qeveria e sotme që është në pikën më të ulët të saj nga korrupsioni, grabitja, cinizmi e arroganca, të vazhdojë të mbahet në patericat që i jep gjendja e opozitës sot. Qytetarët janë çuar në protesta, ne duhet të jemi në krahun e tyre.
Pyetja: A ka të ardhme PD pas gjithë përplasjes dhe gjendjes që ndodhet sot?
Lëvizjet që ndodhën këto muaj jashtë partisë zyrtare apo brenda saj, hapën debatin apo prekën direkt atë që kishte vite që i mungonte organizimit të partisë, pra lëvizja pranë bazës, prekja e qelizës së antarësisë. U nxit mekanizmi i vitalizimit të demokratit të thjeshtë. Sot vota është në fokus të qëndrimeve përbashkuese dhe unë e mbështes pa asnjë mëdyshje çdo proces që mbështetet në votën e lirë.
Ka ardhur koha që PD duhet të hapet më shumë e pa frikë ndaj brezit të ri të mirëarsimuar, të arsimuar jashtë, ndaj vajzave dhe djemve që kërkojnë shpresë, ndaj studentëve, ndaj grave që janë pjesa më e mirë e shoqërisë. Ne duhet të jemi prezent me zërin tonë jo duke fyer njëri- tjetrin por duke mbështetur me përulje dhe etike, me një model politik europian, një projekt që jep shpresë, që frymëzon, me besimin te e drejta, te ligji, te respektimi i të drejtave të njeriut. Vaji i kandilit të qeverisë ka mbaruar ndërsa ne të ndezim besimin e shqiptarëve sot pa humbur kohë!