Ajo i qendronte afër në cdo garë. Ishin aq të lidhur saqë maratonomaku i njohur Sotir Qiriaqi ende nuk është gati të pranojë ndarjen nga jeta të bashkëshortes së tij në moshën 62-vjeçare për shkak të koronavirusit. Loreta për Sotirin ishte vetë sekreti i jetës së tij.
“Bashkëshortja ime ka qenë një support, ajo më ka kuptuar, këtu është gjithë sekreti i jetës që çfarë indikacioni ka burri me gruan për të bërë diçka të bukur,”-u shpreh ai. I pyetur se si ishte dita e parë pa Loretën Qiriaqi shprehet:
“Dita e parë pa Loretën ishte si një bimë pa ujë, unë s’kam ujë, por e shoh që shokët më respektojnë dhe më duan shumë. Dita e parë ishte krejt ndryshe pasi imazhi i saj më del në shtëpi, por unë i premtoj se do mbetet dashnor i saj, besniku i saj.”
Maratonomaku thotë se tani garat pa Loretën nuk do të jenë njësoj, atyre u ka humbur bukuria.
“Nuk më dhimbset sepse nuk vjen. Ajo ishte një suport jo vetëm i imi, por i të gjithë sportistëve shqiptar kudo që shkonim. Loreta ka qenë bukuria e gjithë maratonave, me shkathtësinë e saj me entuziazmin e saj.”
75-vjeçari më tej zbuloi se çfarë i kishte thënë bashkëshortes në varreza, ndërsa kishte edhe një mesazh për të gjithë.
“Unë në varreza I thash bashkëshortës time me një monolog individual: lamtumirë Loreta! Dhe meqënse është përgjithmonë po e them si Bajroni: Lamtumirë përgjithmonë! Unë do jem me ty shpirti im. kjo intervistë të jetë një mesazh i fortë të ruheni nga kjo sëmundje. Bëni kontroll, mos i mbani lekët nëpër xhepa, bëni konsulta.”. /Shqiptarja.com/