Aksident në Majën e Harapit në fshatin turistik të Thethit. Një turist nga Gjermania mbeti i bllokuar mes thepave të malit, shtetasi Timo Misler, 34 vjeç.
Raportohet se fillimisht ka shkuar helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për ta shpëtuar, por ka qenë e pamundur. Më pas herën e dytë ka ardhur një helikopter i forcave të ushtrisë dhe më tej është arritur që të nxirret nga vendi ku kishte mbetur i bllokuar, duke arritur që të shpëtojë me ndërhyrjen e dytë nga ajri.
Në këtë operacion një ndihmesë të madhe dhanë edhe banorët e zonës së Thethit, duke u vënë në gatishmëri për të shpëtuar turistin gjerman. Kujtojmë se rastet e humbjes së jetës të turistëve të huaj në Theth apo rastet e aksidenteve po kthehen në një shqetësim, pasi ata kërkojnë të eksplorojnë zona ku nuk rekomandohet kalimi.
Turisti gjerman që u shpëtua është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.